Në vitin 2025 u realizuan 290 trajtime jashtë vendit, 74 kërkesa mbetën pa miratim
Trajtimi i pacientëve jashtë vendit vazhdon të mbetet një nga segmentet më të kushtueshme të sistemit shëndetësor në Maqedoninë e Veriut. Gjatë vitit 2025, për këtë qëllim janë shpenzuar gjithsej 483 milionë denarë, ndërsa kostoja mesatare për një pacient ka arritur në rreth 1.66 milionë denarë.
Sipas raportit vjetor të Fondit për Sigurim Shëndetësor, gjatë vitit janë dorëzuar 364 kërkesa për trajtim jashtë vendit, por janë realizuar vetëm 290 prej tyre, që do të thotë se 74 kërkesa nuk morën miratim. Arsyet kryesore lidhen me faktin se nuk janë shteruar mundësitë e trajtimit në vend ose nuk ka pasur mundësi reale për trajtim të suksesshëm në institucionet e huaja.
Raporti tregon se numri i kërkesave është rritur krahasuar me vitin paraprak – nga 332 në 364, ndërsa numri i trajtimeve të realizuara është rritur nga 273 në 290.
Turqia vazhdon të mbetet destinacioni kryesor për pacientët nga Maqedonia e Veriut, sidomos për ndërhyrje neurokirurgjikale dhe trajtime të specializuara. Në anën tjetër, pacientët me diagnoza më komplekse dërgohen kryesisht në shtetet e Evropës Perëndimore, ku disponohen teknologji më të avancuara dhe ekspertizë më e specializuar.
Një nga ndryshimet kryesore gjatë vitit 2025 ka qenë shkurtimi i afatit për vendimmarrje administrative për trajtim jashtë vendit – nga 45 në 30 ditë – me synim përshpejtimin e procedurave dhe qasjes më të shpejtë të pacientëve në shërbime.
Megjithëse shpenzimet totale për trajtim jashtë vendit kanë rënë lehtë, për 1.1 për qind krahasuar me vitin 2024, nevoja për këtë mekanizëm mbetet e lartë, veçanërisht për pacientët me sëmundje të rralla apo trajtime që nuk mund të ofrohen brenda sistemit vendor shëndetësor. Gazeta Flaka
















