Kosova voton: Mungesë komisionerësh, probleme me kamerat dhe qasje të kufizuar – çfarë raportoi DnV?
Organizata Demokracia në Veprim ka angazhuar 550 vëzhgues në të gjithë territorin e Kosovës për monitorimin e procesit zgjedhor, ndërsa 50 operatorë janë vendosur në qendrën e thirrjeve për të ndjekur zhvillimet gjatë ditës.
Në konferencën e parë për media, përfaqësuesi i DnV-së, Ismet Kryeziu, bëri të ditur se 1.6 për qind e vendvotimeve janë hapur me vonesë, kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve.
“Sipas të dhënave nga terreni, vonesat në hapje lidhen kryesisht me mungesën e komisionerëve, ndërsa në disa raste edhe me mungesën e kabinave të votimit”, deklaroi Kryeziu.
Sipas monitorimit të DnV-së, probleme janë evidentuar edhe në 2 për qind të vendvotimeve lidhur me vendosjen e kamerave, ndërsa në 16 për qind të vendvotimeve nuk ka asnjë grua anëtare të komisionit zgjedhor.
Organizata ngriti shqetësime edhe për qasjen e personave me aftësi të kufizuara, duke bërë të ditur se rreth 19 për qind e qendrave të votimit ende nuk ofrojnë infrastrukturë të përshtatshme për qasje të lehtë.
Po ashtu, DnV raportoi për materiale promovuese të subjekteve politike pranë disa qendrave të votimit, pavarësisht ndalimit për vendosjen e tyre brenda perimetrit prej 100 metrash.
Ndërkohë, sipas organizatës, në rreth 10 për qind të vendvotimeve nuk është evidentuar prania e zyrtarëve policorë, edhe pse u vlerësua se policia në përgjithësi po e kryen detyrën e saj gjatë procesit zgjedhor. Gazeta Flaka
















