97,96% e votave të numëruara: Vetëvendosje mbi 295 mijë vota, opozita e bashkuar kalon 315 mijë vota
Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare në Kosovë po shkon drejt përfundimit, ndërsa rezultatet më të fundit preliminare të publikuara nga KQZ tregojnë se Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdon të kryesojë bindshëm.
Sipas të dhënave të fundit, me 97,96% të votave të numëruara, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka siguruar 43,05% të votave, përkatësisht 295.085 vota.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 21,12% ose 144.796 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 17,67%, respektivisht 121.113 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) deri më tani ka siguruar 7,20% të votave, apo 49.381 vota.
Në total, tri partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kanë grumbulluar 315.290 vota së bashku, duke kaluar rezultatin individual të Vetëvendosjes për 20.205 vota.
Rezultatet mbeten preliminare dhe mund të pësojnë lëvizje të vogla deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit, përfshirë votat e mbetura dhe ato me kusht. Gazeta Flaka
















