LVV kryeson me mbi 42%, PDK dhe LDK pas saj në rezultatet preliminare
Ka përfunduar numërimi i të gjitha kutive të votimit në nivel vendi për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, me rezultatet preliminare që konfirmojnë epërsinë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas të dhënave zyrtare, janë numëruar 2.498 nga 2.498 kuti votimi, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 37.05 për qind. Nga 1.959.962 qytetarë me të drejtë vote, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 726.071 votues.
Sipas rezultateve të fundit, LVV ka siguruar 299.152 vota ose 42.91 për qind të votave të vlefshme, duke u renditur e para. Në vendin e dytë është renditur PDK me 147.220 vota ose 21.12 për qind, ndërsa LDK ka marrë 122.575 vota, apo 17.58 për qind.
AAK është renditur e katërta me 49.917 vota ose 7.16 për qind. Ndërkohë, Lista Serbe ka marrë 43.071 vota ose 6.18 për qind, ndërsa KDTP ka siguruar 5.337 vota ose 0.77 për qind.
Me përfundimin e numërimit të kutive të votimit, procesi zgjedhor tani hyn në fazën e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, ku pritet të përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe ato nga diaspora. Gazeta Flaka
















