BFI-Gostivar organizon pritje për haxhinjtë e kthyer nga Haxhi
Në ambientet e Aeroportit të Shhkupit, drejtues të Muftinisë së Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut – Gostivar, sot në orët e paradites, realizuan pritje të haxhinjve të grupit të dytë që u kthyen nga pelegrinazhi i Haxhit.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Reisul Ulema, Shaqir ef. Fetahu, së bashku me Muftiun e Gostivarit, Sabahudin ef. Zendeli, referentët e Muftinisë, udhëheqës fetarë dhe ekipi mjekësor që shoqëroi haxhinjtë gjatë udhëtimit.
Sipas përfaqësuesve të Muftinisë, gjithsej janë pritur 168 haxhinj të grupit të dytë nga territori i Gostivarit, ndërsa më herët ishte realizuar edhe pritja e grupit të parë me 156 besimtarë.
Në fjalën e tij, Reisul Ulema Shaqir ef. Fetahu vlerësoi përkushtimin dhe sakrificën e haxhinjve gjatë kryerjes së ritualit të Haxhit.
“Ky është një moment i veçantë shpirtëror për çdo besimtar që ka kryer Haxhin dhe është kthyer me përjetime të thella fetare dhe njerëzore”, u theksua gjatë pritjes.
Ndërkohë, Muftiu i Gostivarit, Sabahudin ef. Zendeli, theksoi rëndësinë e organizimit dhe mbështetjes së vazhdueshme për haxhinjtë.
“Ne jemi të lumtur që të gjithë haxhinjtë janë kthyer shëndoshë e mirë dhe me përjetime të begatshme nga ky obligim i shenjtë”, u shpreh ai.
Pritja u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe me pjesëmarrje të madhe të familjarëve dhe besimtarëve të zonës. Gazeta Flaka
















