VLEN nga Tetova: Dy vjet punë, rezultate konkrete dhe bashkim politik
Në Kuvendin themelues të VLEN-it në Tetovë, drejtuesit e partisë vlerësuan bashkimin e pesë subjekteve politike në një forcë të vetme, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për konsolidimin e faktorit politik shqiptar në vend.
Bashkëkryetari Bilall Kasami tha se VLEN ka arritur të realizojë për dy vjet projekte dhe reforma që, sipas tij, kishin mbetur të pazgjidhura për dekada.
“Për 24 muaj arritëm të zgjidhim probleme dhe të zhvillojmë politika më shumë sesa kishin bërë ata para nesh për 24 vjet”, deklaroi Kasami.
Ai përmendi ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, njohjen e diplomave të medresesë, avancimin e Korridorit 8, rrugën Shkup-Bllacë dhe investimet në shëndetësi e arsim.
Ndërkaq, bashkëkryetari Izet Mexhiti vlerësoi se ndryshimet e dy viteve të fundit kanë sjellë më shumë investime dhe zhvillim në vendbanimet shqiptare.
“Kur shqiptarët janë të bashkuar dhe punojnë me përgjegjësi, rezultatet janë të prekshme dhe shqiptarët marrin hisen reale që u takon nga buxheti i shtetit”, tha Mexhiti.
Drejtuesit e VLEN-it theksuan se do të vazhdojnë të fokusohen në projekte zhvillimore, duke vlerësuar se besimi i qytetarëve fitohet dhe ruhet përmes rezultateve konkrete.
Nënkryetarja Mimoza Musa tha se rrugëtimi i VLEN-it ka qenë i vështirë, por i suksesshëm, duke kujtuar se koalicioni fitoi 107 mijë vota në zgjedhjet parlamentare dhe drejtimin e 10 komunave.
“VLEN-i u bë një, duke bashkuar energjitë, potencialin dhe vullnetin politik të shqiptarëve rreth një vizioni të përbashkët”, theksoi Musa. Gazeta Flaka












