Raporti i Parlamentit Evropian ngre alarmin: Korrupsioni, gjyqësori, të drejtat etnike dhe reformat mbeten sfidat kryesore
Parlamenti Evropian ka miratuar raportin më të fundit për Maqedoninë e Veriut, duke dërguar një sërë mesazhesh kritike për institucionet e vendit në lidhje me sundimin e ligjit, korrupsionin, marrëdhëniet ndëretnike, lirinë e mediave dhe procesin e integrimit evropian, shkruan Gazeta Flaka
Raporti vlerëson se vendi vazhdon të mbetet i përkushtuar ndaj rrugës evropiane, por thekson se ritmi i reformave është i pamjaftueshëm dhe se mbeten probleme serioze që pengojnë përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Korrupsioni dhe gjyqësori mbeten plagët kryesore
Parlamenti Evropian shpreh shqetësim për nivelin e korrupsionit dhe kërkon veprime më të forta kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Në raport theksohet nevoja për forcimin e institucioneve antikorrupsion, rritjen e transparencës dhe garantimin e pavarësisë së institucioneve.
Njëkohësisht, PE vëren se besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor mbetet i ulët, ndërsa kërkon reforma më të thella për të siguruar pavarësinë dhe efikasitetin e drejtësisë.
Paralajmërim për tensionet politike dhe etnike
Raporti i kushton rëndësi të veçantë ruajtjes së karakterit multietnik të shtetit dhe respektimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Në këtë kontekst, Parlamenti Evropian miratoi edhe amendamentin për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore, duke i bërë thirrje autoriteteve që ta zgjidhin sa më shpejt këtë çështje dhe të mos i paraqesin protestat studentore si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues.
Dokumenti nënvizon se respektimi i të drejtave të komuniteteve dhe zbatimi praktik i Marrëveshjes së Ohrit janë elemente thelbësore për stabilitetin dhe progresin demokratik të vendit.
Administratë e politizuar dhe mungesë dialogu
Parlamenti Evropian kërkon depolitizimin e administratës publike, punësime të bazuara në meritë dhe profesionalizim më të madh të institucioneve shtetërore.
Po ashtu, raporti evidenton polarizimin e vazhdueshëm politik dhe mungesën e dialogut konstruktiv ndërmjet pushtetit dhe opozitës, duke bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe forcimin e kulturës demokratike.
Liria e medias dhe dezinformimi
Një tjetër shqetësim i ngritur në raport lidhet me lirinë e medias. Parlamenti Evropian kërkon mbrojtje më të madhe për gazetarët, hetim efektiv të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj tyre, si dhe garantimin e pavarësisë së mediave.
Në të njëjtën kohë, raporti paralajmëron për rrezikun e dezinformimit dhe ndikimeve të huaja, duke kërkuar forcimin e kapaciteteve institucionale për t’u përballur me këto sfida.
Mesazhi i Brukselit
Raporti i Parlamentit Evropian dërgon një mesazh të qartë: progresi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian nuk do të varet vetëm nga përmbushja e kritereve teknike, por edhe nga garantimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit, respektimi i të drejtave të komuniteteve, pavarësia e institucioneve dhe funksionimi i një demokracie gjithëpërfshirëse.
Për herë të parë pas një periudhe të gjatë, çështjet që lidhen me gjuhën shqipe dhe zbatimin praktik të Marrëveshjes së Ohrit janë vendosur në mënyrë eksplicite në fokusin e Parlamentit Evropian, duke i dhënë debatit të brendshëm në vend një dimension të ri evropian. Gazeta Flaka












