Taravari shpërthen ndaj VLEN-it: Po bëhen kurban të egoizmit të dy-tre vetave, shqiptarët kurrë s’kanë qenë më keq!
Lideri i Aleancës për Shqiptarët thotë se dështimi i VLEN-it është i dhimbshëm për të, pasi shumicën e drejtuesve i konsideron miq dhe shokë.
Flaka
Kryetari i Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari, ka lëshuar kritika të ashpra në adresë të VLEN-it, duke vlerësuar se shqiptarët po kalojnë një nga periudhat më të vështira politike nën qeverisjen aktuale.
Në një deklaratë publike, Taravari tha se dështimi i VLEN-it nuk i sjell kënaqësi, por përkundrazi e konsideron të dhimbshëm, pasi shumë prej eksponentëve të saj i ka miq dhe bashkëpunëtorë të kahershëm.
“Dështimi i VLEN-it është i dhimbshëm për mua. Ata nuk janë armiqtë e mi, përkundrazi, shumica janë miq e shokë që po bëhen kurban nga egoizmi patetik i dy-tre vetave”, deklaroi Taravari.
Ai shkoi edhe më tej në kritikat e tij, duke vlerësuar se pozita e shqiptarëve është përkeqësuar ndjeshëm gjatë mandatit të kësaj qeverie.
“Asnjëherë ne shqiptarët nuk kemi qenë kaq keq sa në drejtimin e kësaj qeverie”, u shpreh lideri i Aleancës për Shqiptarët.
Deklarata e Taravarit vjen në një periudhë tensionesh të shtuara në kampin politik shqiptar, pas debateve për përfaqësimin e shqiptarëve në institucione, përdorimin e gjuhës shqipe dhe zhvillimeve të fundit politike në vend. Gazeta Flaka












