Arbër Ademi: Pesë gjyqtarë maqedonas mbivotuan dy shqiptarët dhe një turk, po presim publikimin e vendimit
Sekretari gjeneral i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një vendim të marrë me majorizim dhe duke kritikuar qëndrimet e përfaqësuesve të VLEN-it.
“Vendimi i djeshëm i Gjykatës politike të Maqedonisë së Veriut u mor me majorizim, 5 me 3. Pesë gjyqtarë maqedonas mbivotuan dy gjyqtarët shqiptarë dhe një gjyqtar turk”, deklaroi Ademi.
Ai hodhi poshtë pretendimet se vendimi i Komunës nga viti 2007 nuk ka qenë asnjëherë në fuqi, duke pyetur se si mund të shfuqizohet një akt që, sipas këtyre pretendimeve, nuk ka prodhuar kurrë efekte juridike.
“Kur i dëgjoj këta të VLEN-it duke u arsyetuar se vendimi i Komunës nga viti 2007 nuk paska qenë asnjëherë në fuqi, me të vërtetë habitem. Si mund të shfuqizohet një akt që, sipas tyre, nuk ka qenë kurrë në fuqi? Si? Pse do të duhej Gjykata Kushtetuese të zhvillonte procedurë për diçka që nuk ekziston?”, tha Ademi.
Më tej, ai akuzoi përfaqësuesit e VLEN-it se po japin arsyetime të pabazuara.
“Mos kështu. Mos na e fyeni inteligjencën kolektive me arsyetime të tilla absurde”, theksoi deputeti i BDI-së.
Në fund, Ademi tha se pret publikimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të parë argumentimin juridik dhe, sipas tij, rolin e aktorëve politikë në këtë proces.
“Mezi po pres të publikohet vendimi. Ndoshta atëherë do të kuptojmë se si mund të shfuqizohet diçka që, sipas VLEN-it, nuk ka qenë kurrë në fuqi. Po ashtu do ta shohim edhe rolin e tyre”, deklaroi Ademi. Gazeta Flaka












