Raporti i PE-së: Shkupi po afrohet me Beogradin, rritet shqetësimi për ndikimin rus

Flaka
Botuar nga Flaka 18 Qershor, 2026 17:35

Raporti i PE-së: Shkupi po afrohet me Beogradin, rritet shqetësimi për ndikimin rus

Parlamenti Evropian ka miratuar Rezolutën për Raportin e Komisionit Evropian 2025 për Maqedoninë e Veriut, në të cilën eurodeputetët vlerësojnë se procesi i integrimit evropian vazhdon të mbetet i bllokuar nga mungesa e reformave kyçe, polarizimi politik dhe mosrealizimi i ndryshimeve kushtetuese, ndërsa njëkohësisht shprehin shqetësim për rritjen e ndikimeve të jashtme, përfshirë konceptin e ashtuquajtur “Bota Serbe”, përkeqësimin e gjendjes në luftën kundër korrupsionit dhe çështjet e pazgjidhura që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Rezoluta, e miratuar nga Parlamenti Evropian, i kushton një hapësirë të konsiderueshme procesit eurointegrues të vendit, duke rikujtuar se Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet një nga vendet që ka pritur më gjatë në procesin e anëtarësimit, pavarësisht statusit kandidat që e gëzon prej vitit 2005.

Eurodeputetët konstatojnë se mungon progresi i nevojshëm në shumë fusha kyçe dhe kërkojnë angazhim të ri politik për të rikthyer dinamizmin reformues.

“Vërehet me keqardhje mungesa e progresit që nga raporti i fundit. Vrulli reformues kërkon angazhim të ri politik dhe veprime konkrete, përfshirë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, bashkëpunim konstruktiv ndërpartiak dhe mbikëqyrje efektive parlamentare. Edhe pse ndryshimet kushtetuese përbëjnë një temë të rëndësishme dhe përçarëse në një vend që ka kaluar sfida të shumta në rrugën e tij drejt pavarësisë, të gjithë aktorët politikë të përkushtuar ndaj rrugës evropiane duhet urgjentisht të bashkojnë forcat për të zbatuar ndryshimet kushtetuese të nevojshme që do të mundësojnë hapjen e grupit të parë të negociatave”, thuhet në rezolutë. Parlamenti Evropian rikujton se Këshilli Evropian tashmë ka riafirmuar gatishmërinë për të ecur përpara me procesin negociues sapo vendi të përmbushë obligimet e marra.

“Përsëritet thirrja e Këshillit Evropian nga viti 2024 që Maqedonia e Veriut të përshpejtojë përfundimin e ndryshimeve kushtetuese. Këshilli ka riafirmuar gatishmërinë e tij për të mbajtur një konferencë tjetër ndërqeveritare pa vonesa të mëtejshme apo vendime shtesë politike sapo Maqedonia e Veriut të përmbushë zotimin e saj dhe më pas është i gatshëm të hapë grupin e parë negociues sa më shpejt të jetë e mundur”, theksohet në dokument.

Eurodeputetët vlerësojnë se institucionet demokratike funksionojnë në mënyrë të kënaqshme, por paralajmërojnë se polarizimi politik vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore për reformat. “Polarizimi politik vazhdon dhe vonon reformat dhe emërimet e nevojshme. Shprehet keqardhje që nuk janë bërë përpjekje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese me të cilat vendi është zotuar dhe që janë të nevojshme për hapjen e grupit themelor. Të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend duhet të tejkalojnë retorikën e nxehtë zgjedhore dhe të punojnë së bashku për arritjen e një marrëveshjeje për reformat e nevojshme”, thuhet në rezolutë.

LIDHJET ME “BOTËN SERBE”

Një nga pjesët më të forta politikisht të rezolutës është ajo që lidhet me ndikimet e huaja në Ballkanin Perëndimor dhe në Maqedoninë e Veriut. Parlamenti Evropian shpreh hapur shqetësimin për afërsinë në rritje ndërmjet Shkupit dhe Beogradit, duke e lidhur atë me orientimin politik të qeverisë serbe. “Vërehen me shqetësim lidhjet gjithnjë e më të forta ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Serbisë, e cila ndjek një agjendë joliberale. Paralajmërohet gjithashtu për rritjen e ndikimit ekonomik dhe politik të Kinës në rajon dhe për përpjekjet e Rusisë për të ushtruar ndikim në Maqedoninë e Veriut”, thekson Rezoluta.

Dokumenti shkon edhe më tej duke ngritur shqetësime serioze për narrativat që cenojnë stabilitetin rajonal. “Shprehet shqetësim për narrativat që promovohen në rajon dhe që vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve, përfshirë konceptin e ashtuquajtur ‘Bota Serbe’”, thuhet në tekst. Po ashtu, eurodeputetët kërkojnë hapjen e arkivave të shërbimeve sekrete jugosllave. “Rikujtohet nevoja për hapjen e arkivave të shërbimeve sekrete jugosllave UDBA dhe KOS në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, me qëllim trajtimin transparent të së kaluarës totalitare”, nënvizon rezoluta.

SHQIPJA NË JURISPRUDENCË

Një pjesë e konsiderueshme e dokumentit i kushtohet marrëdhënieve ndëretnike, retorikës politike dhe nevojës për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm. Parlamenti Evropian dënon qartë retorikën nacionaliste dhe gjuhën e urrejtjes. “Refuzohet fuqimisht retorika etno-nacionaliste, përfshirë atë të aktorëve politikë, që nxit përçarje dhe minon marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe marrëdhëniet ndërmjet grupeve etnike dhe komuniteteve. Kërkohet që Bashkimi Evropian të shtojë përpjekjet për të frenuar një retorikë të tillë dhe ndikimin e saj”, theksohet në rezolutë. Dokumenti u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë që të kontribuojnë në forcimin e kohezionit shoqëror.

“U bëhet thirrje të gjithë aktorëve të ruajnë themelet e stabilitetit dhe integritetit të vendit, të avancojnë marrëdhëniet, bashkëpunimin dhe shkëmbimet ndërmjet grupeve etnike, pakicave dhe komuniteteve të tjera, si dhe të shmangin retorikën përçarëse”, thuhet më tej.

Një vend të veçantë në rezolutë zë edhe çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, temë që ka nxitur protesta dhe reagime të shumta gjatë muajve të fundit. “Autoritetet e Maqedonisë së Veriut duhet të zgjidhin me shpejtësi çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore për të siguruar zbatimin praktik të Marrëveshjes së Ohrit si në ligj ashtu edhe në frymë dhe të mos i paraqesin në mënyrë të pasinqertë protestat studentore si të motivuara politikisht ose si faktor destabilizues”, theksojnë eurodeputetët.

THELLOHET KORRUPSIONI

Rezoluta është veçanërisht kritike ndaj gjendjes së sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Sipas Parlamentit Evropian, institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të sigurojnë rezultate bindëse në ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë. “Shprehet shqetësim se sistemi gjyqësor, pavarësia e gjykatave dhe prokurorisë, si dhe përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit nuk kanë avancuar mjaftueshëm. Aktorët politikë duhet të përmbahen urgjentisht nga ndërhyrjet politike në gjyqësor”, thuhet në dokument. Parlamenti Evropian kërkon mbrojtjen e integritetit të gjyqësorit dhe zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Një kritikë e fortë drejtohet edhe ndaj mungesës së rezultateve konkrete në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. “Vërehet me shqetësim se nuk është arritur progres në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe se korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në shumë fusha. Ekziston një hendek i madh midis hetimeve të shpallura publikisht dhe vendimeve gjyqësore përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, thuhet në rezolutë. Dokumenti kërkon miratimin e një strategjie të re kundër korrupsionit për periudhën 2026-2030 dhe garantimin e hetimeve dhe dënimeve përfundimtare për rastet e profilit të lartë.

TË DREJTAT THEMELORE DHE MBROJTJA E VIKTIMAVE

Sa i përket të drejtave themelore, Parlamenti Evropian vlerëson se legjislacioni i vendit është në masë të madhe në përputhje me standardet evropiane, por paralajmëron se problemi kryesor mbetet zbatimi në praktikë. “Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të forcojë zbatimin praktik të kornizës ligjore, veçanërisht duke përmirësuar kornizën institucionale për barazinë gjinore dhe duke siguruar mekanizma efektivë mbrojtjeje kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, qasje në shërbime shëndetësore dhe ndarje të mjaftueshme të burimeve për shërbimet mbështetëse të viktimave”, thekson rezoluta.

Në fund të dokumentit, Presidenti i Parlamentit Evropian udhëzohet që rezolutën t’ia përcjellë Këshillit Evropian, Këshillit të Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe institucioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

22

“A po realizohet programi zgjedhor në Komunën e Tetovës?”

Flaka
Botuar nga Flaka 18 Qershor, 2026 17:35
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
22

“A po realizohet programi zgjedhor në Komunën e Tetovës?”

  • DritonZenku
    Shkollat po mbyllen, fshatrat po zbrazen: alarmi demografik në Maqedoninë e Veriut