Mazllami: Ditë historike për Rekën e Epërme, asfaltimi i rrugës hap perspektiva të reja zhvillimi
Mësimdhënësi në shkollën e Nistrovës dhe banori i zonës, Valmir Mazllami, e ka cilësuar si një “ditë historike” nisjen e asfaltimit të pjesës më të madhe të rrugës që lidh fshatrat e Rekës së Epërme.
Sipas tij, ky projekt vjen pas shumë vitesh pritjeje dhe angazhimi të banorëve për përmirësimin e infrastrukturës në këtë krahinë.
“Më në fund, pas shumë vitesh pritjeje, mundimesh, kërkesash dhe anashkalimesh, pjesa më e madhe e rrugës që çon drejt fshatrave të Rekës së Epërme do të asfaltohet. Ky është një lajm i madh për banorët, mërgimtarët dhe të gjithë ata që e duan këtë trevë”, ka deklaruar Mazllami.
Ai vlerëson se asfaltimi i rrugës do të krijojë kushte më të mira për restaurimin dhe mirëmbajtjen e shtëpive të vjetra, por edhe për investime të reja që mund të ndikojnë në zhvillimin e zonës.
“Me asfaltimin e rrugës do të krijohen mundësi edhe më të mira për restaurimin dhe mirëmbajtjen e shtëpive tona të vjetra, si dhe për investime të reja që do t’i japin jetë dhe zhvillim kësaj zone të bukur”, theksoi ai.
Mazllami shtoi se infrastruktura e përmirësuar do t’ua lehtësojë vizitat edhe atyre që deri më tani nuk kanë pasur mundësi të njihen nga afër me Rekën e Epërme.
“Tani edhe ata që nuk kanë qenë kurrë në këto fshatra do ta kenë shumë më të lehtë t’i vizitojnë dhe të njohin nga afër bukuritë, historinë dhe traditat e kësaj krahine”, u shpreh ai.
Në fund, ai falënderoi banorët e Rekës për këmbënguljen e tyre ndër vite, si dhe kryetarin e Komunës së Mavrovës dhe Rostushës, Oner Jakupovski, për kontributin në realizimin e projektit.
“Ta gëzojmë sa më shpejt këtë investim dhe u bëftë ky vetëm hapi i parë drejt zhvillimit të mëtejshëm të Rekës së Epërme”, përfundoi Mazllami. Gazeta Flaka
















