Në Dumosh të Besianës, Ahmeti nderon familjen e dëshmorëve Fahri dhe Bahri Fazliu
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka qëndruar në Kosovë, ku ka vizituar familjet Salihu në Batushë të Gjakovës dhe Fazliu në Dumosh të Besianës, për t’u shprehur ngushëllimet e tij për humbjet e tyre familjare.
Ahmeti njoftoi se në Batushë të Gjakovës ka vizituar familjen e Heroit të Kombit, Jashar Salihu, pas ndarjes tragjike nga jeta të djalit të tij, Blerim Salihu.
“Në këto çaste të rënda dhimbjeje, nënës, bashkëshortes, vëllezërve, mbarë familjes Salihu dhe të afërmve ua shpreha ngushëllimet e mia më të sinqerta, duke u lutur që Zoti t’u japë forcë dhe durim për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka shprehur respektin dhe nderimin e tij për të ndjerin.
“Qoftë i përhershëm kujtimi për Blerim Salihun. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, është shprehur Ahmeti.
Një ditë më parë, kreu i BDI-së kishte qëndruar edhe në Dumosh të Besianës, ku vizitoi familjen e Kimete Fazliu-Podvorica.
“Në Dumosh të Besianës, isha për ngushëllime te familja e Kimete Fazliu-Podvoricës, motrës së dëshmorëve Fahri dhe Bahri Fazliu”, kishte bërë të ditur Ahmeti.
Me këto vizita, Ahmeti shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e tij ndaj familjeve që kanë përjetuar humbje të rënda, duke vlerësuar kontributin dhe sakrificën e tyre ndër vite. Gazeta Flaka
















