BDI ngre alarmin për çerdhen “Fidani”:A është rrezikuar shëndeti i fëmijëve?
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka ngritur një sërë pyetjesh publike lidhur me gjendjen në çerdhen “Fidani”, duke shprehur shqetësim për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve dhe të punësuarve në këtë institucion.
Nga BDI pyesin nëse është e vërtetë që punonjësit e çerdhes kanë mbetur për muaj të tërë pa sigurim shëndetësor për shkak të bllokimit të mjeteve financiare të institucionit, të lidhura me kompensimin e punonjësve të larguar në mënyrë të kundërligjshme nga puna.
“A është e vërtetë se punonjësit e çerdhes ‘Fidani’ kanë mbetur për muaj të tërë pa sigurim shëndetësor, për shkak të bllokimit të mjeteve financiare të institucionit për kompensimin e punonjësve të larguar në mënyrë të kundërligjshme nga puna?”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare ngre gjithashtu shqetësime se si pasojë e kësaj situate, dhjetëra të punësuar mund të kenë mbetur pa mbrojtjen bazë shëndetësore dhe sociale.
BDI kërkon sqarime edhe për gjetjet e pretenduara të Inspektoratit Sanitar.
“A është e vërtetë se Inspektorati Sanitar ka konstatuar prani të baktereve orofaringeale tek një numër i konsiderueshëm i të punësuarve në këtë institucion?”, pyesin nga partia.
Sipas tyre, duhet të sqarohet edhe nëse personeli është detyruar të vazhdojë punën pavarësisht këtyre gjetjeve.
“A është e vërtetë se pavarësisht këtyre gjetjeve, drejtoresha ka kërkuar nga personeli të vazhdojë punën duke mbetur në kontakt të përditshëm me fëmijët?”, theksohet në reagim.
Nga BDI kërkojnë përgjigje nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve, edukatoreve dhe personelit tjetër.
“Këto nuk janë pyetje politike. Janë pyetje që kanë të bëjnë me shëndetin e fëmijëve tanë, sigurinë e të punësuarve dhe përgjegjësinë e institucioneve publike. Qytetarët meritojnë përgjigje”, deklarojnë nga BDI, duke shtuar se për rastin duhet të ketë përgjegjësi. Gazeta Flaka
















