Osmani: Në çdo situatë normale partitë shqiptare do të largoheshin nga qeveria pas raportit të Parlamentit Europian
Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe një nga drejtuesit e BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend dhe gjetjet e raportit të Parlamentit Europian për Maqedoninë e Veriut.
Sipas Osmanit, vetëm gjatë javës së fundit janë shënuar disa zhvillime shqetësuese, duke përmendur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për anulimin e emërtimeve shqiptare në Tetovë dhe rikthimin e emrave si “Marshall Tito”, shtyrjen në Kuvend të ligjit që, sipas tij, prek përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, si dhe gërryerjen e vazhdueshme të barazisë në praktikë.
Ai thekson se raporti i Parlamentit Europian ka ngritur shqetësime serioze për ndikimet e jashtme në vend.
“Parlamenti Europian paralajmëroi për depërtimin e ndikimit serb dhe rrezikun e shndërrimit të vendit në zgjatim të ‘Botës Serbe’”, shkruan Osmani.
Sipas tij, raporti kërkon gjithashtu zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit “në shkronjë dhe në frymë”, si dhe vlerëson se protestat studentore nuk duhet të etiketohen si destabilizuese apo të motivuara politikisht.
Osmani ka kritikuar ashpër edhe qeverisjen aktuale, duke e cilësuar gjendjen si pasojë të “keqmenaxhimit skandaloz të institucioneve qendrore dhe lokale, nga padija, pafuqia dhe kapja”.
“Në çdo situatë normale, partitë shqiptare së pari do të largoheshin menjëherë nga qeveria, e pastaj vetë qeveria do të jepte dorëheqje”, ka deklaruar ai.
Duke cituar pikën 75 të raportit të Parlamentit Europian, Osmani veçon shqetësimin e shprehur për “lidhjet gjithnjë e më të forta ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Serbisë”, si dhe për ndikimin e Kinës dhe përpjekjet e Rusisë për të ushtruar ndikim në vend.
Raporti, sipas citimit të publikuar nga Osmani, shpreh gjithashtu shqetësim për narrativat që vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve në rajon, përfshirë të ashtuquajturën “Bota Serbe”.Gazeta Flaka
















