Banorët në protestë – Komuna e Gostivarit: Për një muaj pritet zgjidhja e problemit me ujin në Debresh
Banorët e fshatit Debresh protestuan sot para objektit të Komunës së Gostivarit, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për mungesën e vazhdueshme të ujit të pijshëm dhe duke kërkuar zgjidhje urgjente nga institucionet përgjegjëse.
Sipas protestuesve, problemi me furnizimin me ujë ka kaluar çdo kufi durimi dhe po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të familjeve. Ata kërkuan furnizim të rregullt me ujë, transparencë nga institucionet, masa urgjente dhe përgjegjësi për neglizhencën që, sipas tyre, ka shkaktuar pasoja të rënda për banorët.
“Ne nuk kërkojmë premtime, por zgjidhje konkrete dhe të menjëhershme. Uji është e drejtë themelore dhe jo privilegj”, thuhet në deklaratën e protestuesve.
Banorët paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim nëse nuk ndërmerren hapa konkretë për zgjidhjen e problemit.
Nga ana tjetër, Komuna e Gostivarit reagoi përmes një komunikate për media, duke theksuar se problemi me furnizimin me ujë në një pjesë të Debreshit është çështje shumëvjeçare dhe se tashmë janë ndërmarrë hapa konkretë për tejkalimin e tij.
“Gjatë këtij viti, banorët dhe përfaqësuesit e shoqatave lokale kanë zhvilluar tre takime me kryetarin e Komunës së Gostivarit dhe me ekspertët e Ndërmarrjes Komunale, ku janë shqyrtuar dhe dakordësuar zgjidhje konkrete për tejkalimin e problemit”, thuhet në reagimin e komunës.
Sipas komunës, kanë nisur punimet për ndërtimin e një linje të re të ujësjellësit, investim që pritet të rrisë ndjeshëm kapacitetet e furnizimit me ujë dhe të përmirësojë gjendjen në Debresh.
“Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit edhe për banorët e fshatit Debresh dhe pritet të përfundojë për një muaj”, njofton Komuna e Gostivarit.
Institucioni lokal bëri të ditur gjithashtu se është marrë vendim për sanimin dhe përmirësimin e burimit të ujit mbi fshatin Debresh, ndërhyrje që, sipas autoriteteve, do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve dhe stabilizimin e furnizimit.
“Komuna e Gostivarit ka dëshmuar më shumë se kurrë më parë vullnet dhe përkushtim për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar”, thuhet më tej në komunikatë, ndërsa banorëve u kërkohet mirëkuptim gjatë periudhës së realizimit të punimeve.
Ndërkohë, banorët mbeten skeptikë dhe kërkojnë rezultate konkrete në terren, duke theksuar se do të vazhdojnë presionin publik derisa furnizimi me ujë të normalizohet plotësisht. Gazeta Flaka
















