Spitali Klinik i Tetovës forcohet me 119 kuadro të rinj, Bislimi: Investim në shërbime më cilësore për pacientët
Zëvendësdrejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sedat Bislimi, ka bërë të ditur se Spitali Klinik i Tetovës do të përforcohet me 119 punësime të reja nga 13 profile të ndryshme profesionale, një vendim që synon rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët.
Sipas Bislimit, bëhet fjalë për një hap të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të institucionit dhe përmbushjes së nevojave të stafit në sektorë të ndryshëm të spitalit.
“Sot në Spitalin Klinik të Tetovës u hodh një tjetër hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të sistemit shëndetësor me miratimin e 119 punësimeve të reja nga 13 profile të ndryshme profesionale, të nevojshme për funksionimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij institucioni”, deklaroi Bislimi.
Ai rikujtoi se gjatë muajve të fundit janë realizuar edhe 38 angazhime të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm të kuadrove të reja të përfshira këtë vit në Spitalin Klinik të Tetovës në 157.
“Këto punësime pasojnë 38 angazhimet e realizuara më herët, duke bërë që numri i përgjithshëm i kuadrove të reja të angazhuara gjatë këtij viti të arrijë në 157”, tha ai.
Bislimi vlerësoi se shtimi i personelit do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të institucionit dhe në ofrimin e shërbimeve më të mira për pacientët.
“Çdo punësim i ri nënkupton më shumë kapacitet, më shumë përkujdesje dhe shërbime më cilësore për pacientët”, theksoi zëvendësdrejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor.
Autoritetet shëndetësore presin që me përforcimin e stafit profesional të përmirësohet funksionimi i repartëve të ndryshëm dhe të rritet cilësia e shërbimeve që ofrohen për qytetarët e rajonit të Tetovës dhe më gjerë. Gazeta Flaka












