Ulen çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut me 6.61%
Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) ka vendosur uljen e çmimeve të derivateve të naftës me një mesatare prej 6,61 për qind, krahasuar me javën e kaluar.
Vendimi i ri do të hyjë në fuqi nga mesnata, respektivisht nga ora 00:01 e datës 23 qershor, ndërsa ulja vjen si pasojë e rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Sipas KRRE-së, benzina në tregjet botërore është liruar për mbi 8 për qind, ndërsa nafta dhe vaji ekstra i lehtë kanë shënuar rënie mbi 12 për qind, gjë që ka ndikuar direkt në ndryshimin e çmimeve vendore.
Me vendimin e ri, EUROSUPER BS-95 ulet për 3,5 denarë dhe do të kushtojë 84 denarë për litër, ndërsa EUROSUPER BS-98 ulet për 4 denarë dhe do të shitet për 86 denarë për litër.
Rënie më e madhe është regjistruar te dizeli dhe vaji ekstra i lehtë për amvisëri, të cilët ulen për 7 denarë për litër. Kështu, dizeli do të kushtojë 80,5 denarë për litër, ndërsa vaji ekstra i lehtë 79,5 denarë për litër.
Po ashtu, çmimi i mazutit ulet për 3,932 denarë për kilogram dhe nga nesër do të kushtojë 42,291 denarë për kilogram.
Nga KRRE theksohet se këto janë çmime maksimale të lejuara, ndërsa kompanitë furnizuese mund t’i ofrojnë produktet edhe me çmime më të ulëta se ato të përcaktuara.
Flaka
















