Ahmeti nga takimi me diplomaten e SHBA-së: Mbështetja amerikane mbetet jetike për vendin
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar sot një takim me Ushtruesen e Detyrës së Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Nicole Varnes, ku në fokus të bisedimeve kanë qenë sundimi i ligjit, marrëdhëniet ndëretnike dhe zhvillimet globale të sigurisë.
Ahmeti njoftoi se takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe konstruktive, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara.
“Gjatë takimit zhvilluam një bisedë të hapur dhe konstruktive për çështje me interes të përbashkët, me theks të veçantë mbi sundimin e ligjit, rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të mira ndëretnike, si dhe zhvillimet aktuale që lidhen me paqen dhe stabilitetin global”, deklaroi Ahmeti.
Lideri i BDI-së shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj proceseve demokratike dhe orientimit euroatlantik të vendit.
“Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj vlerave demokratike, integrimit euroatlantik dhe perspektivës së vendit tonë”, tha ai.
Në fund, Ahmeti u shpreh optimist për të ardhmen e bashkëpunimit me SHBA-të, duke nënvizuar se:
“Jam i bindur se partneriteti ynë do të vazhdojë të forcohet në funksion të paqes, stabilitetit dhe një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët.” Gazeta Flaka












