Akuza të forta nga Taravari: VLEN-i pas vandalizimit të Komunës së Gostivarit
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka komentuar protestën e banorëve të Debreshit për mungesën e ujit të pijshëm, duke deklaruar se aktet e vandalizmit ndaj objektit të Komunës së Gostivarit janë kryer nga persona të afërt me VLEN-in, përcjell Gazeta Flaka.
“Ka pasur mungesë të ujit për disa ditë dhe kryetari i komunës ka marrë menjëherë aktivitete për ta përmirësuar këtë gjendje. Madje, prej dy javësh janë duke u zhvilluar punimet atje”, tha Taravari.
Ai theksoi se e kupton të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por jo kalimin e protestës në vandalizëm.
“Kur protesta kalon në vandalizëm, ne i pamë edhe fotot dhe morëm edhe raportin nga Policia. I pamë se kush i bëri këto veprime. Janë njerëz të afërt me VLEN-in, por edhe disa persona të tjerë që nuk ia duan të mirën komunës dhe kanë tendenca të caktuara”, deklaroi ai.
I pyetur nëse në protestë kishte edhe mbështetës të BDI-së, Taravari u përgjigj se kishte pjesëmarrës nga subjekte të ndryshme politike, por sipas tij jo në aktet e vandalizmit.
“Ka pasur edhe njerëz të BDI-së, por edhe të Aleancës që dolën në protesta, por jo për të vandalizuar”, u shpreh Taravari.
Sipas tij, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, dhe drejtuesit e Ndërmarrjes Komunale kishin zhvilluar takim me banorët rreth dhjetë ditë para protestës, duke i informuar për masat që po ndërmerren për përmirësimin e furnizimit me ujë gjatë verës.
“Janë informuar se po bëhen aktivitete për të përmirësuar sasinë e ujit gjatë muajve të verës. Aktivitetet duhet të përfundojnë për 3-4 javë. Të shkosh të protestosh para komunës dhe të thyesh dritaret e komunës që drejtohet nga kryetari i cili i ka pranuar në takim dhe u ka dhënë sqarime, ndërsa vazhdimisht janë furnizuar me cisterna me ujë të pijshëm, kjo mund të ketë vetëm prapavijë qëllimkeqe dhe asgjë tjetër”, tha Taravari.
Duke komentuar edhe reagimin e VLEN-it lidhur me situatën në Debresh, Taravari hodhi poshtë pretendimet e koalicionit, duke theksuar se në fshat ekziston rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit, ndërsa gjatë viteve janë realizuar investime të shumta në shkolla dhe infrastrukturë. Këto komunte Taravari i bëri sonte në Tv Shenja – emisionin “Debat në Shenja”. Gazeta Flaka












