Taravari: VLEN-i nuk është në qendër të vendimmarrjes – Nnuk pyetet për asgjë dhe nuk kanë informata çfarë ndodh
Kryetari i Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari, ka kritikuar ashpër subjektin VLEN, duke deklaruar se përfaqësuesit e tij nuk kanë ndikim real në vendimmarrje dhe nuk janë të informuar për zhvillimet kryesore politike.
Në emisionin “Debat në Shenja”, Taravari tha se VLEN-i merret vetëm me sulme politike, ndërsa sipas tij nuk ka fuqi për të ndryshuar proceset që vetë i kritikon.
“S’janë fare aty, nuk kanë informata se çfarë ndodh. Sulmi është mbrojtja më e mirë dhe ata mund vetëm të sulmojnë. BDI-në e dërguam bashkë në opozitë dhe kjo ishte gjë e mirë. Tash janë bërë dy vjet, urdhëroni veproni ju. Nëse thoni se Serbia ka pasur ndikim, largojeni atë ndikim nëse keni fuqi. Unë e di se kush nuk ju pyet”, deklaroi Taravari.
I pyetur për mundësinë e rikthimit të Aleancës për Shqiptarët në qeveri, ai tha se kthimi në të njëjtën formulë politike do të ishte nënçmues për partinë, por nuk e përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje të re politike.
“Është nënçmuese të hysh aty prej nga ke dalë. Megjithatë, me një marrëveshje të re, ku do të kishte garanca për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe për realizimin e ndryshimeve kushtetuese, atëherë mund të diskutohet. Në të kundërtën, nuk ka çfarë të diskutohet”, tha Taravari. Gazeta Flaka












