Mickoski: Administrata publike është shtylla e shtetit modern, reformat janë domosdoshmëri
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se administrata publike përbën një nga shtyllat kryesore të çdo shteti modern dhe të suksesshëm, duke theksuar se funksionimi i shtetit mbështetet në punën e përditshme të mijëra nëpunësve që zbatojnë ligjet dhe u shërbejnë qytetarëve.
“Shteti nuk është vetëm Qeveria, nuk është vetëm Kuvendi, nuk janë vetëm ministrat dhe funksionarët e zgjedhur. Shteti janë edhe mijëra njerëz që çdo mëngjes hapin dyert e institucioneve, përgatisin vendimet, zbatojnë ligjet, u shërbejnë qytetarëve dhe sigurojnë që sistemi të funksionojë”, tha Mickoski.
Ai nënvizoi se detyra e institucioneve është të ndërtojnë një administratë që do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo një pengesë burokratike për ta.
Sipas kryeministrit, reformat në administratën publike nuk janë çështje zgjedhjeje politike, por nevojë e domosdoshme për zhvillimin e vendit.
“Nuk mund të flasim për një ekonomi moderne nëse kemi procedura administrative të vjetruara. Nuk mund të flasim për një shtet konkurrues nëse investitorët përballen me barriera administrative. Nuk mund të flasim për besim ndaj institucioneve nëse qytetarët ndiejnë se sistemi nuk i ndjek dhe nuk u përgjigjet nevojave të tyre”, theksoi ai.
Mickoski shtoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në procesin e modernizimit të administratës publike, duke vlerësuar se përparimi i vendit varet edhe nga efikasiteti i institucioneve.
“Nëse duam që Maqedonia të ecë më shpejt përpara, duhet të përshpejtohen edhe institucionet. Po ashtu, nëse duam më shumë besim te shteti, duhet të kemi më shumë besim te institucionet”, deklaroi kryeministri. Gazeta Flaka












