E rëndë kjo – Nafie Selmani: Kjo tufë meshkujsh, pa potencë dhe pa guxim njerëzor
Aktivistja e shoqërisë civile Nafie Selmani ka reaguar publikisht duke rikujtuar, siç thotë ajo, përjashtimin e saj nga një proces zgjedhor brenda Kuvendit, të cilin e konsideron të padrejtë dhe të kryer pa transparencë e pa respektim të procedurave ligjore.
Në një deklaratë të gjatë publike, Selmani pretendon se vendimi për përjashtimin e saj është marrë “në mënyrë të fshehtë” dhe pa argumente të bazuara, duke e lidhur rastin me ndikime politike dhe mungesë paanshmërie në institucione.
Ajo shkruan:
“Më përjashtuan nga një proces të cilin e kisha përfunduar me shumë sukses dhe me integritet…”
Sipas saj, vendimi nuk është marrë mbi baza profesionale, por për arsye personale dhe politike, duke pretenduar se nuk ka pranuar të jetë e kontrolluar politikisht.
Selmani njofton gjithashtu se ka dorëzuar padi për rastin, duke thënë se është e mbështetur në argumente ligjore dhe se do ta ndjekë çështjen edhe në instanca ndërkombëtare, nëse është e nevojshme.
Në deklaratë ajo i referohet edhe raportit të Komisionit Evropian, ku thuhet:
“Kuvendi zgjodhi anëtarët e rinj të Këshillit të AVMU/ASHMAA-së në mungesë transparence, kriteresh të qarta dhe paanshmërie.”
Selmani e lidh këtë vlerësim me rastin e saj, duke pretenduar se procesi në fjalë ka pasur mangësi të ngjashme.
Në fund të reagimit të saj, ajo thekson se pavarësisht zhvillimeve, do të vazhdojë betejën ligjore, duke e paraqitur atë si një çështje të dinjitetit dhe të drejtësisë institucionale.
Ajo e përmbyll deklaratën me mesazhin se, sipas saj, “fitorja e vërtetë është qëndrimi ndaj padrejtësisë”, pavarësisht pozitës apo pushtetit. Gazeta Flaka
















