Selmani kritikon Durmishin: Deklaratat për “skenarë të errët” në Tetovë pa prova, kërkohen sqarime nga institucionet
Aktivistja dhe analistja Nafie Selmani reagoi ndaj paralajmërimeve të ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, duke i cilësuar deklaratat e tij për “skenarë të mundshëm incidentesh” si të paargumentuara me fakte publike.
Ajo ngriti pyetje për kompetencat institucionale dhe kërkoi transparencë nëse ekzistojnë informacione konkrete që justifikojnë paralajmërime të tilla, duke theksuar se ruajtja e rendit publik është detyrë e strukturave të sigurisë dhe jo e deklaratave politike.
Në reagim përmendet edhe protesta e paralajmëruar në Tetovë, e lidhur me Bashkimi Demokratik për Integrim, ku organizimi sipas policisë është bërë nga Bajram Rexhepi.
Durmishi, ka paralajmëruar për informacione shqetësuese lidhur me mundësinë e incidenteve gjatë protestës së paralajmëruar sonte në Tetovë.
Përmes një reagimi publik, Durmishi tha se gjatë natës së kaluar dhe gjatë ditës së sotme kanë pranuar informacione për “skenare të errëta” që, sipas tij, po përgatiten kundër Tetovës.
“Sipas këtyre informacioneve, persona të caktuar që do të vijnë sot në Tetovë do të përpiqen të shkaktojnë incidente, me demolimin e objekteve publike, përleshje me Policinë ose incidente ndëretnike në lagjet e Tetovës”, ka deklaruar ministri.
Ai vlerësoi se qëllimi i këtyre veprimeve është krijimi i tensioneve artificiale dhe shtrembërimi i fakteve dhe i përgjegjësisë.
Durmishi njoftoi se institucionet qendrore dhe lokale janë në koordinim të vazhdueshëm për të parandaluar çdo skenar të tillë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e, siç i quajti ai, “devijimeve nga disa të infiltruar me qëllime të errëta politike”.
Megjithatë, ministri theksoi se e drejta për protestë është e garantuar dhe se institucionet do ta mbrojnë atë.
“Megjithëse nuk ka sens të protestosh në Tetovë për një vendim që ka marrë Gjykata Kushtetuese në Shkup, e drejta për protestë është e garantuar dhe ne do ta mbrojmë këtë të drejtë”, thuhet në reagimin e tij. Gazeta Flaka












