Ambasadori i BE-së në vizitë në Gostivar, fokusi në projekte lokale dhe integrimin evropian
Valbon Limani, Kryetar i Komunës së Gostivarit priti sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, në kuadër të vizitave që ai po zhvillon në komunat e vendit.
Gjatë takimit u diskutua për projektet aktuale në Komunën e Gostivarit, mundësitë e reja të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, si dhe avancimin e standardeve evropiane në nivel lokal.
Theks i veçantë iu kushtua procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe rolit të komunave në zbatimin e reformave dhe politikave zhvillimore.
Më pas, ambasadori Rokas zhvilloi takim edhe me kryetarin e Këshillit të Komunës, Valdet Xhaferi, si dhe me këshilltarë komunalë, ku u diskutuan çështje me interes për qytetarët e Gostivarit.
Në një prezantim para përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe këshilltarëve, u prezantua edhe programi evropian LIFE, një nga instrumentet kryesore të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit dhe adresimin e ndryshimeve klimatike.
Bashkimi Evropian u vlerësua si partner i rëndësishëm në mbështetjen e zhvillimit lokal, përmes projekteve dhe investimeve që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zhvillimin e qëndrueshëm në nivel komunal. Gazeta Flaka












