MPB: Kriminaliteti në Maqedoninë e Veriut në nivelin më të ulët në 20 vitet e fundit
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se niveli i kriminalitetit në vend ka shënuar rënie të ndjeshme, duke arritur, sipas të dhënave të saj, nivelin më të ulët në dy dekadat e fundit.
Sipas njoftimit të MPB-së, kriminaliteti i përgjithshëm është ulur me 30 për qind gjatë dy viteve të fundit, ndërsa është rritur edhe efikasiteti në zbulimin e veprave penale dhe autorëve të tyre, duke arritur në 69 për qind.
Ministria thekson se gjatë kësaj periudhe janë goditur më shumë se 30 grupe të organizuara kriminale, ndërsa zbulimi i grupeve të lidhura me korrupsionin është rritur për 50 për qind.
Në kuadër të luftës kundër trafikimit të drogës, MPB njofton se janë zbuluar mbi 1.600 vepra penale, janë kallëzuar rreth 1.900 persona, ndërsa janë sekuestruar 6,2 tonë lëndë narkotike. Gjithashtu, sipas ministrisë, janë parandaluar nëntë transporte ndërkombëtare të marihuanës dhe kokainës, ndërsa sekuestrimet e kokainës janë rritur për më shumë se 300 për qind.
MPB-ja ka bërë të ditur gjithashtu se kriminaliteti pasuror është ulur me mbi 30 për qind, ndërsa grabitjet dhe vjedhjet me dhunë kanë shënuar rënie prej më shumë se 40 për qind.
Nga ministria kanë theksuar se këto të dhëna nuk janë vetëm statistika, por tregues të veprimeve të ndërmarra kundër krimit dhe për rritjen e sigurisë së qytetarëve.
Flaka
















