Rúben Amorim prezantohet te Milani: “Jam këtu për të fituar, jo vetëm për të marrë pjesë”
Milani ka hapur zyrtarisht një kapitull të ri, teksa trajneri Rúben Amorim dhe pronari Gerry Cardinale dolën për herë të parë në konferencë për shtyp për të prezantuar projektin e ri kuqezi.
Amorim u shpreh i emocionuar për nisjen e aventurës së tij në “Milanello”, duke theksuar se ndihet tashmë si në shtëpi dhe se synimi i vetëm është rikthimi i klubit te trofetë.
“Jam tashmë i dashuruar me Milanellon. Ndihem si në shtëpi. Nuk kam ardhur këtu për të marrë pjesë, por për të fituar”, deklaroi trajneri portugez.
Tekniku foli edhe për afrimin e sulmuesit Gonçalo Ramos, duke e cilësuar si profilin ideal për mënyrën e lojës që dëshiron të ndërtojë.
“Dhashë profilin e lojtarit që kërkoja dhe klubi gjeti më të mirin në treg. Ai bën shumë presion ndaj kundërshtarit dhe kjo është pikërisht ajo që dua. Nuk është vetëm lojtari, por edhe mesazhi që ai përcjell.”
Një tjetër temë e rëndësishme ishte e ardhmja e Luka Modrić. Amorim konfirmoi se dëshiron ta ketë mesfushorin kroat në skuadër edhe sezonin e ardhshëm.
“E dua Modrićin me ne. E kam telefonuar dy herë. Nëse është e nevojshme, shkoj ta marr personalisht. Tani presim përgjigjen e tij pasi të ketë pushuar.”
Nga ana tjetër, pronari Gerry Cardinale theksoi se Milani po hyn në një fazë të re organizative, me synimin për ta rikthyer klubin në nivelin që i takon.
“Objektivi ynë ishte të riorganizonim klubin dhe do të ketë shumë ndryshime. Duam ta rikthejmë Milanin në të kaluarën e tij të lavdishme. Ne luajmë për të fituar, jo thjesht për të mos humbur.”
Deklaratat e Amorim dhe Cardinale konfirmojnë ambiciet e mëdha të Milanit për sezonin e ri, me klubin që synon të rikthehet protagonist si në Serie A, ashtu edhe në arenën evropiane.
Flaka
















