LAJM I FUNDIT: Julián Álvarez kërkon vetëm Barcelonën, Atletico Madrid përgatitet për largimin e tij
Barcelona mund të jetë pranë një prej goditjeve më të mëdha të merkatos së verës. Sipas raportimeve të fundit, Atletico Madrid ka nisur të përgatitet për mundësinë e largimit të sulmuesit argjentinas Julián Álvarez, ndërsa klubi katalanas konsiderohet favorit absolut për të siguruar shërbimet e tij.
Burimet bëjnë të ditur se Álvarez i ka komunikuar drejtuesve të Atleticos se dëshira e tij është të transferohet vetëm te Barcelona. Pavarësisht interesimit konkret nga klube të mëdha si Arsenal dhe Paris Saint-Germain, sulmuesi 26-vjeçar nuk po shqyrton asnjë destinacion tjetër.
Megjithatë, lojtari nuk dëshiron të shpërqendrohet në këtë moment. Fokusin e ka tërësisht te paraqitja me kombëtaren e Argjentinës në Kupën e Botës, ndërsa bisedimet për të ardhmen pritet t’i zhvillojë vetëm pas përfundimit të turneut.
Ndërkohë, Barcelona po përgatitet të nisë negociatat me Atletico Madrid në javët e ardhshme, me synimin për të arritur një marrëveshje për një nga sulmuesit më të kërkuar në futbollin evropian.
Nëse transferimi realizohet, Julián Álvarez do të ishte një nga afrimet më spektakolare të merkatos verore dhe një përforcim i madh për repartin ofensiv të skuadrës katalanase.
Flaka
















