Adnan Azizi e Bekim Qoku në “Listën e Zezë” te shtetit shqiptar
Tre zyrtarë të lartë nga Maqedonia e Veriut kanë pretenduar se janë përballur me ndalesë gjatë tentimit për të hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare Qafë Thanë.
Bëhet fjalë për koordinatorin e grupit parlamentar të VLEN-it, deputetin Bekim Qoku, deputetin Adnan Azizi dhe Hasim Murtezanin, zëvendëssekretar i përgjithshëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Sipas deklarimeve të tyre, ata tentuan të kalojnë kufirin me pasaporta diplomatike, por u mbajtën në pritje për rreth një orë pa marrë ndonjë sqarim zyrtar.
Ata thonë se më pas një pjesëtar i policisë kufitare u ka komunikuar se tre prej tyre mund të vazhdonin udhëtimin, ndërsa personi i katërt që ishte në shoqërinë e tyre nuk lejohej të hynte në Shqipëri. Si shenjë revolte, grupi vendosi të kthehej, ndërsa më vonë, sipas tyre, u është bërë e ditur se kanë ndalesë hyrjeje në territorin shqiptar.
Ndërkohë, sipas burimeve jozyrtare të publikuara nga portali TS, kjo masë lidhet me dyshimet se disa prej tyre kanë qenë të përfshirë në organizimin e pjesëmarrjes në protestat e mbajtura në Tiranë, të lidhura me lëvizjen e quajtur “Revolucioni Flamingo”.
TS pretendon gjithashtu se autoritetet shqiptare kanë futur në një “listë të zezë” mbi 60 persona, kryesisht funksionarë të VLEN-it. Sipas këtij portali, në mesin e emrave përfshihen deputetët Bekim Qoku dhe Adnan Azizi, zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë Hasim Murtezani, si dhe disa drejtues policie, këshilltarë komunalë dhe funksionarë të tjerë të afërt me VLEN-in.
Po sipas TS-së, dyshohet se disa funksionarë të VLEN-it kanë organizuar të rinj për të marrë pjesë në protestën e 4 korrikut në Tiranë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ndërsa portali paralajmëron publikimin e emrave të tjerë që pretendohet se janë subjekt i kësaj mase.
Flaka ka siguruar edhe video ekskluzive nga ngjarja në pikën kufitare Qafë Thanë, ku shihen zyrtarët gjatë qëndrimit të tyre në pritje.
Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet shqiptare lidhur me pretendimet për ndalim hyrjeje apo për ekzistencën e një liste të zezë me funksionarë nga Maqedonia e Veriut. Gazeta Flaka
















