Opozita shqiptare bashkohet në Kuvend, bllokon seancën dhe kundërshton Ligjin për Përfaqësim të Drejtë
Deputetët e partive shqiptare në opozitë bllokuan sot vazhdimin e seancës së Kuvendit përmes reagimeve procedurale, duke kërkuar që të caktohet dita dhe ora e votimit për Propozim-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Përfaqësues të BDI-së, Aleancës për Shqiptarët dhe Lidhjes Shqiptare akuzuan shumicën parlamentare se po shmang votimin për shkak të mungesës së shumicës së Badenterit.
Deputeti i BDI-së, Ilir Hasani, tha se opozita nuk lejoi kalimin në pikat e tjera të rendit të ditës pa u vendosur në votim ligji për përfaqësim të drejtë.
“Shumica parlamentare refuzoi ta vendosë këtë pikë në rend dite për votim. Kjo është edhe një dëshmi se nuk kanë shumicën e nevojshme me Badenter dhe për këtë arsye po përpiqen ta kontrabandojnë ligjin në një moment të papritur, duke shmangur një votim të rregullt dhe transparent”, deklaroi Hasani.
Ai theksoi se përfaqësimi i drejtë është një e drejtë kushtetuese dhe një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit, duke shtuar se opozita do të vazhdojë të përdorë “çdo mjet demokratik dhe parlamentar” për ta mbrojtur këtë çështje.
Deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, akuzoi pushtetin për mosrespektim të Rregullores së Kuvendit.
“Çfarë mund të presin më shumë qytetarët nga ky pushtet që nuk ka guxim të respektojë rregulloren, të caktojë datën dhe orën e votimit të një ligji? Kur nuk duan do na kenë përballë, e kur nuk dinë do t’ua sqarojmë me pikë e me presje”, u shpreh Dauti.
Edhe lideri i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, deklaroi se opozita nuk do të tërhiqet.
“Nëse dikush mendon se do të lodhemi, e ka gabim. As të dorëzohemi nuk e kemi ndër mend, sepse përfaqësimi i drejtë dhe adekuat për ne është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër që ka në Kushtetutë”, tha Sela.
Nga Aleanca për Shqiptarët, deputeti Halil Snopçe bëri të ditur se deputetët e opozitës kanë mbajtur mbi gjashtë orë reagime procedurale, duke kërkuar zbatimin e Nenit 170 të Rregullores së Kuvendit.
“Kryetari i Kuvendit ka detyrimin të caktojë ditën dhe orën e votimit për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Mirëpo, për shkak se nuk e kanë shumicën e Badenterit, pushteti refuzon ta vendosë ligjin në votim”, deklaroi Snopçe.
Ai shtoi se opozita po shfrytëzon çdo mjet procedural për të parandaluar, siç tha, manipulimin dhe “kontrabandimin” e votimit të ligjit.
E deputeti Blerim Bexheti u shpreh që: Sot, opozita shqiptare dëshmoi se mbetet zëri i qytetarëve dhe mbrojtëse e të drejtave të shqiptarëve, sepse forma e propozuar e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat nga koalicioni VLEN VMRO nuk garanton përfaqësim real dhe rrezikon të dëmtojë një të drejtë të fituar me Marrëveshjen e Ohrit.
“Të drejtat e shqiptarëve nuk mund të ndryshohen pa konsensus dhe pa respektuar mekanizmat kushtetues. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë barazinë dhe përfaqësimin e drejtë në institucionet e shtetit”, shtoi Bexheti.
Ndërkohë, nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, përgëzoi deputetët e opozitës shqiptare për veprimet e tyre në Kuvend.
“Një gjë është e qartë: kush e ka Badenterin, e ka legjitimitetin”, shkroi Osmani, duke shtuar se opozita po pengon miratimin e asaj që ai e cilësoi si “një prej ligjeve më antishqiptare që ka propozuar ndonjë qeveri në 25 vitet e fundit”. Gazeta Flaka












