Sefer Selimi: Kriza e ujit në Gostivar kërkon zgjidhje, jo përplasje politike
Analisti Sefer Selimi vlerëson se situata me ujin e pijshëm në Gostivar është serioze dhe alarmante, duke theksuar se ajo duhet të trajtohet me përgjegjësi institucionale dhe jo të shfrytëzohet për spektakël mediatik apo përplasje politike.
Sipas tij, problemi i ujit të pijshëm nuk kufizohet vetëm në Gostivar, por prek edhe shumë qytete të tjera të vendit, si pasojë e rrjeteve të amortizuara të ujësjellësit, ku ende përdoren tuba të vjetër asbesti që, sipas tij, duhet të zëvendësohen me investime serioze.
Selimi thekson se zhvillimet e fundit janë vetëm simptomë e një problemi të grumbulluar ndër vite, i cili kërkon planifikim afatgjatë dhe bashkëpunim ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal.
Ai kritikon edhe qasjen e Qeverisë, duke vlerësuar se përgjegjësia morale nuk duhet të jetë selektive dhe se institucionet duhet të tregojnë të njëjtin standard përgjegjësie në të gjitha rastet.
Në fund, Selimi bën thirrje që Qeveria dhe Komuna e Gostivarit të ulen në një tryezë të përbashkët për të hartuar një plan kombëtar për modernizimin e rrjetit të ujësjellësit, duke theksuar se uji i pijshëm është çështje e shëndetit publik, sigurisë së qytetarëve dhe përgjegjësisë së shtetit, e jo e përplasjes politike. Gazeta Flaka












