BDI: VLEN-i në panik, po fabrikon anketa për të fshehur rënien politike
BDI ka reaguar ndaj publikimit të një ankete të fundit, duke akuzuar VLEN-in se po përdor sondazhe të fabrikuara për të krijuar një perceptim të rremë mbi mbështetjen qytetare.
Sipas BDI-së, edhe kësaj radhe pas rezultateve të publikuara qëndron një agjenci pa transparencë elementare, për të cilën nuk dihet kush e ka porositur dhe financuar anketën, si është përzgjedhur mostra, kur është realizuar terreni dhe cilat kanë qenë pyetjet e plota.
“Një agjenci që prej dy vitesh nuk ka pasur aktivitet serioz publik në matjen e opinionit, papritur riaktivizohet pikërisht kur VLEN-it i duhen numra për të mbuluar rënien e vet politike”, thuhet në reagim.
BDI pretendon se pas kësaj agjencie qëndron Vesna Kuzmanoviq, duke ngritur dyshime se nuk bëhet fjalë për një matje reale të opinionit publik, por për, siç e quan, “një operacion propagandistik” që synon t’i prodhojë VLEN-it një realitet të rremë.
Në reagim theksohet se VLEN-i “mund të publikojë nga një anketë çdo ditë, por nuk mund ta falsifikojë vullnetin e qytetarëve”, duke shtuar se sondazhet nuk mund të mbulojnë, sipas BDI-së, “servilizmin në Qeveri, degradimin e përfaqësimit shqiptar dhe poshtërimin e përditshëm që e pranon në heshtje”.
Në fund, BDI e cilëson anketën si “material propagandistik të një koalicioni të frikësuar, i cili e di shumë mirë se çfarë e pret”. Gazeta Flaka
















