Arsenal nuk heq dorë nga Vinicius Jr., gati ta presë edhe si lojtar të lirë
Arsenal vazhdon të mbajë gjallë interesimin për yllin brazilian Vinicius Jr., ndërsa klubi londinez është i gatshëm të presë deri në sezonin e ardhshëm për ta transferuar atë si lojtar të lirë.
Sipas raportimeve të gazetarit Fred Caldeira dhe platformës DataFutebol, drejtuesit e Arsenalit e kanë Vinicius Jr. si një nga objektivat më të mëdhenj në merkato. Megjithatë, prioriteti i tyre mbetet ta transferojnë sulmuesin që gjatë kësaj vere, nëse krijohen kushtet për një marrëveshje.
Në rast se një transferim i menjëhershëm nuk realizohet, “Topçinjtë” janë të gatshëm të presin dhe të tentojnë ta sigurojnë brazilianin pa pagesë të kartonit në sezonin e ardhshëm, nëse situata kontraktuale e lojtarit e lejon një lëvizje të tillë.
Vinicius Jr. konsiderohet një nga futbollistët më të mirë në botë në pozicionin e tij dhe afrimi i tij do të përbënte një përforcim të jashtëzakonshëm për skuadrën e Mikel Artetës, e cila synon të luftojë për trofetë më të rëndësishëm në Angli dhe Evropë.
Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë marrëveshje zyrtare mes palëve, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Arsenal do të arrijë ta bindë klubin dhe lojtarin për një transferim gjatë këtij afati kalimtar.
Flaka












