Ferran Torres dërgon mesazh Barcelonës: Më tregoni se më doni, pastaj ulemi të negociojmë
Ferran Torres ka folur hapur për të ardhmen e tij, duke lënë të kuptohet se pret një hap konkret nga Barcelona nëse klubi dëshiron ta mbajë për një periudhë më të gjatë.
Në një intervistë për Sportico dhe NBC, sulmuesi spanjoll deklaroi se dëshiron të ndiejë besimin dhe vlerësimin e klubit përpara se të ulet në tryezën e negociatave.
“Çfarë duhet të bëjë Barça? Të më tregojë se më do vërtet, që ka ardhur për të negociuar… pastaj gjithçka është çështje bisede”, u shpreh Ferran.
Ai komentoi edhe interesimin e raportuar nga Paris Saint-Germain, duke e cilësuar si një vlerësim për punën e tij.
“Të kërkohesh nga klube të tilla është diçka e mirë”, tha ai.
Megjithatë, 26-vjeçari theksoi se mbetet i qetë për të ardhmen, pasi është ende nën kontratë me Barcelonën.
“Kam kontratë me Barcelonën. Është e vërtetë që në futboll nuk e di kurrë se çfarë mund të ndodhë, por gjëja e mirë është se, duke qenë se kam kontratë, mund të pres dhe të vendos vetë për të ardhmen time”, përfundoi Ferran Torres.
Deklaratat e tij pritet të nxisin edhe më shumë spekulimet rreth të ardhmes së sulmuesit, në një kohë kur emri i tij vazhdon të lidhet me disa prej klubeve më të mëdha evropiane.
Flaka
















