Ndërron jetë Beqir Mexhiti, babai i Izet Mexhitit
Familja Mexhiti në zi – Izet Mexhiti njofton për humbjen e të atit. Varrimi i Beqir Mexhitit do të bëhet në Semenisht.
Në familjen e Izet Mexhitit ka ndodhur një humbje e rëndë. Ka ndërruar jetë Beqir Mexhiti, babai i bashkëkryetarit të VLEN-it dhe një prej figurave kryesore politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Lajmin për ndarjen nga jeta të të atit e ka bërë të ditur vetë Izet Mexhiti përmes një njoftimi prekës në rrjetet sociale.
“Sot familja jonë humbi njeriun që për ne ishte mbështetje, urtësi dhe forcë. Ndarja nga babai na la një zbrazëti të madhe në familjen tonë dhe, në këto çaste të rënda, fjalët janë të pakta për ta përshkruar dhimbjen”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka njoftuar se Falja e Namazit të Xhenazes do të bëhet nesër pas Namazit të Drekës në Xhaminë e Çairit, ndërsa varrimi do të zhvillohet në varrezat e fshatit Semenisht.
Në fund të njoftimit, Izet Mexhiti i ka kushtuar të atit edhe një mesazh të shkurtër, por domethënës:
“Babë, Zoti të mëshiroftë dhe të dhëntë Xhenetin.”
Beqir Mexhiti ishte i njohur publikisht edhe si babai i Izet Mexhitit, ndërsa në vitet e fundit kishte dhënë intervista për fëmijërinë dhe jetën familjare të djalit të tij.
Flaka Media i shpreh ngushëllime familjes Mexhiti, të afërmve dhe miqve të Beqir Mexhitit.
Zoti e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me Xhenet.
















