350 mijë euro në mur, emra të fuqishëm në telefon: Çfarë po zbardhet në gjyqin ndaj ish-gjyqtarit Ristov?
Një telefon celular është kthyer në një nga pikat kryesore të procesit gjyqësor ndaj ish-gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov, i cili akuzohet për fshehjen e 350 mijë eurove në murin e shtëpisë së prindërve të tij në Negotinë.
Në seancën e sotme, Prokuroria prezantoi pjesë nga të dhënat e nxjerra nga telefoni i Ristovit, duke vënë theksin te komunikimet e tij me persona që, sipas akuzës, kanë pasur çështje aktive para gjykatave.
Prokurorja Iskra Haxhivasilevska tha se Ristov kishte komunikuar me persona të dyshuar ose të përfshirë në procedura gjyqësore, ndërsa në raste të tjera ishte interesuar për çështje te kolegë të tij gjyqtarë.
Mes kontakteve të përmendura nga Prokuroria ishte Ismet Guri, ish-zëvendësdrejtor i Drejtorisë së të Ardhurave Publike, i dënuar për shkatërrim të materialit zgjedhor dhe i përfshirë më pas në një hetim për shoqërim kriminal.
Prokuroria përmendi gjithashtu komunikimet me Bojan Jovanovskin – Boki 13, i dënuar në rastin “Reket”.
Emri i Bexhetit dhe një kërkesë për një lëndë
Në materialet e nxjerra nga telefoni u përmend edhe komunikimi i Ristovit lidhur me një lëndë te gjyqtari Enver Bexheti, i cili së fundmi është futur në listën e sanksioneve amerikane për korrupsion.
Sipas Prokurorisë, Ristov i ka thënë bashkëbiseduesit se ishte interesuar për çështjen edhe përmes një kolegeje nga administrata.
Në një tjetër komunikim, një person i panjohur i shkruan Ristovit për t’u interesuar për një lëndë te një gjyqtare e quajtur Bukurie. Përgjigjja e tij ishte se gjyqtarja ndodhej në pushim dhe se do ta shihte çështjen pas kthimit të saj.
Pikërisht këto kontakte Prokuroria i konsideron problematike, duke pasur parasysh pozitën që Ristov kishte si gjyqtar i Apelit.
“Kontaktet dhe komunikimet sipas vlerësimeve tona janë të palejueshme nga ana e gjykatësit të Apelit me persona, ashtu siç edhe vetë e patë, janë udhëhequr dhe udhëhiqen lëndë aktive dhe procedura”, tha prokurorja Iskra Haxhivasilevska.
Nga telefoni, te lista e emrave të njohur
Prokuroria prezantoi edhe listën e kontakteve të ruajtura në telefonin e Ristovit, duke sqaruar se për këta persona nuk janë konstatuar domosdoshmërisht komunikime, por vetëm se numrat e tyre kanë qenë të regjistruar.
Në këtë listë figurojnë Vice Zaev, vëllai i ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev; Ana Kamçev, bashkëshortja e biznesmenit Orce Kamçev; deputeti i BDI-së dhe biznesmeni Ismail Jahoski, si dhe djali i tij Asmir Jahoski.
Në listë, sipas Prokurorisë, janë edhe biznesmeni Zoran Azmanov, ish-deputetja e LSDM-së Frosina Remenski, si dhe Fehmi Stafa dhe Lupço Pecov.
Vetë fakti që një person figuron në listën e kontakteve nuk paraqet, në vetvete, provë për ndonjë vepër penale. Pikërisht këtë argument e përdor mbrojtja.
Mbrojtja: Kontakti nuk është krim
Avokati i Ristovit, Zvonko Davidoviq, tha se prania e këtyre personave në telefon nuk mund të trajtohet si provë e veprës penale pa dëshmi konkrete për veprime të kundërligjshme.
“Ja në telefon i ka pasur këto persona. Po i ka. Normalisht, Maqedonia është shtet i vogël, por nëse thotë se ato persona nuk është dashur t’i ketë në telefon ose e dyshimtë, duhet të sigurojë prova se çfarë ai ka bërë me ato persona”, tha Davidoviq.
Pyetja kryesore mbetet: nga erdhën 350 mijë eurot?
Në të njëjtën seancë dëshmoi edhe eksperti që ka analizuar të ardhurat dhe pasurinë e Ristovit dhe familjarëve të tij.
Sipas Prokurorisë, të ardhurat e deklaruara nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar prejardhjen e 350 mijë eurove që, sipas akuzës, janë gjetur të fshehura në mur.
Mbrojtja paraqet një tjetër tablo financiare.
Sipas avokatit, Ristovi dhe bashkëshortja e tij, gjatë periudhës 2016–2024, kanë realizuar të ardhura prej rreth 617 mijë eurosh, ndërsa prindërit e tij rreth 917 mijë euro.
Një pjesë e këtyre mjeteve, sipas mbrojtjes, është përdorur për blerjen e banesave, ndërsa për pjesën tjetër pritet të japë përgjigje ekspertiza e porositur nga pala mbrojtëse.
Kështu, në qendër të procesit tashmë janë dy pyetje të ndryshme: çfarë marrëdhëniesh ka pasur një gjyqtar me persona të lidhur me procese gjyqësore dhe, mbi të gjitha, a mund të dëshmohet ligjërisht prejardhja e 350 mijë eurove të gjetura në mur?
Përgjigjet për këto pyetje do të jenë ndër elementet kryesore që do të vlerësojë gjykata gjatë procesit. Gazeta Flaka













