Aleanca për Shqiptarët: Mbi 30 artistë në skenën shtetërore, asnjë shqiptar – “Ky nuk është lëshim, por përjashtim”
Debati për mënyrën e organizimit të festimeve shtetërore për 35-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut po merr përmasa politike.
Pas kritikave për mungesën e përfaqësimit shqiptar në koncertin qendror në Shkup, ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët, e cila e cilëson situatën jo si një lëshim organizativ, por si “përjashtim”.
Në reagimin e saj, ASH thekson se mbi 30 artistë u ngjitën në skenën qendrore të manifestimit, ndërsa asnjë prej tyre nuk ishte shqiptar.
“Shqiptarët mungojnë nga koncerti shtetëror, mungojnë nga promovimi, mungojnë nga fotografia zyrtare e shtetit. Ndërkohë VLEN rri në Qeveri dhe sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë”, thuhet në reagimin e partisë.
ASH e vendos përgjegjësinë politike edhe te përfaqësuesit shqiptarë në pushtet, duke ngritur pyetjen se çfarë vlere kanë postet institucionale nëse ato nuk shoqërohen me ndikim real.
“Për çfarë ju duhen shqiptarëve ministrat, zëvendësministrat, drejtorët dhe funksionarët e VLEN-it, nëse nuk arrini të siguroni as përfaqësim elementar në festën e shtetit ku bashkëjetojmë?”, pyet Aleanca për Shqiptarët.
“Shqiptarët nuk janë folklor lokal”
Partia kritikon edhe argumentin se artistët shqiptarë do të përfshihen në aktivitetet që do të zhvillohen në Tetovë.
Sipas ASH-së, një qasje e tillë e redukton padrejtësisht praninë shqiptare në një hapësirë lokale.
“Shqiptarët nuk janë folklor lokal që duhen mbyllur në Tetovë.”
Në vijim, Aleanca për Shqiptarët thekson se shqiptarët janë “popull konstituiv i këtij shteti” dhe, për këtë arsye, duhet të jenë të përfaqësuar në manifestimet shtetërore në të gjithë vendin.
Në fund të reagimit, ASH e kthen kritikën në një goditje të drejtpërdrejtë ndaj VLEN-it, duke e akuzuar koalicionin shqiptar se nuk po e shndërron pjesëmarrjen në pushtet në ndikim politik.
“VLEN po dëshmon çdo ditë se ka poste, por nuk ka peshë. Ka funksione, por nuk ka ndikim. Ka pushtet, por nuk ka zë.”
Reagimi i ASH-së vjen në një moment kur “mono-manifestimi” i 35-vjetorit është kthyer në një nga temat kryesore të debatit politik shqiptar, ndërsa mungesa e gjuhës shqipe dhe e artistëve shqiptarë në aktivitetin qendror në Shkup po shihet nga kritikët si më shumë se një çështje protokollare. Gazeta Flaka










