Pasi bie perdja!

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 13 Maj, 2024 20:24

Pasi bie perdja!

Ajo që më ra në sy, gjatë fushatës së fundit parazgjedhore presidenciale e parlamentare ishte prononcimi i përfaqësueseve të Bashkimit Demokratik për Integrim se: “Kur erdhi BDI-ja në pushtet (2002), përfaqësimi i shqiptarëve në R. e Maqedonisë (emri i mëparshëm) nuk ka qenë më shumë se 02%”

Nga Iljaz HALIMI

Tani që përfunduan zgjedhjet mund të shpërfaqen edhe mendime edhe të dhëna që lidhen me deklaratat herë-herë kuturu, vetëm për të thënë diçka! Një prej temave goxha të përfolura ka qenë e dhe përfaqësimi i shqiptarëve në administratën publike dhe shtetërore. Kjo temë, si brengë po edhe si një padrejtësi e trashëguar nga sistemi monist, mes tjerash, ka qenë aktuale më së shumti në debate televizive që u organizuan gjatë fushatës parazgjedhore të këtyre dy palë zgjedhjeve në cilat merrnin pjesë  përfaqësues të partive politike dhe gazetarë, opinionistë e analistë politik.

Ajo që më ra në sy, gjatë fushatës së fundit parazgjedhore presidenciale e parlamentare ishte prononcimi i përfaqësueseve të Bashkimit Demokratik për Integrim se: “Kur erdhi BDI-ja në pushtet (2002), përfaqësimi i shqiptarëve në R. e Maqedonisë (emri i mëparshëm) nuk ka qenë më shumë se 02%”. Më konkretisht, kështu u shpreh z. Bujar Osmani më 04.04.2024, në emisionin “Clik Plus” të RTV-21, z. Arbër Ademi më 29.04.2024, në TV – 21 dhe z. Artan Grubi në emisionin debat të TV-Klan Maqedonia të mbajtur më 10.05.2024.

Me këtë shifër 02%, të përfaqësimit të shqiptarëve në vitin 2002, përfaqësues të BDI-së janë shprehur edhe më herët për çka unë nëpërmes shkrimeve të mia të kohës, për hir të së vërtetës, kam reaguar disa herë duke i përgënjeshtruar me fakte, por si duket ky intervenim imi paska qenë pa ndonjë efekt.  (Lidhur me këtë, shih shkrimin tim me titull “Eliminimi i dilemave” të botuar në “Koha”, 22 nëntor, 2016.)

Meqë e vërteta është ndryshe, pasi ekzistojnë të dhëna që bie ndesh me këto deklarata, me atë që do ta publikoj më poshtë, dua që ata këtë vërejtje timen ta marrin seriozisht si një ndihmesë për të qenë në të ardhmen më të kujdesshëm  kur përmenden shifra për përfaqësimin e shqiptarëve. Këtë gabim dhe gabime të tjera të ngjashme është mirë të mos përsëriten edhe për faktin se duhet para qytetarëve të prezantohen në mënyrë sa ma korrekte që të mos lihet dilema se me ta po manipulohet. Për të mos e zgjatur, lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve nga viti 2002 deri në vitin 2007,  do të shërbehem nga të dhënat e një hulumtimi të cilin e pati përgatitur Rrjeti i parë nacional i organizatave, i njohur si: “Rojet e kuletës publike”, apo siç është në origjinal maqedonisht “Çuvari na javnoto qese”, ku bëjnë pjesë 3 (tri) organizata joqeveritare: “Arka Konsallting”, “Forum-Qendra për hulumtime strategjike dhe të dokumentacionit” dhe “Qendra për hulumtime dhe krijimin e politikave”.

Sipas hulumtimit të këtyre organizatave joqeveritare, që ka të bëjë me  zbatimin e politikave për përfaqësim adekuat dhe të drejtë të bashkësive jo shumicë në administratën shtetërore dhe publike  dhe implikimet e tyre buxhetore, del se nga nëntori i vitit 2002 deri në shtator  të vitit 2007, numri i të punësuarve shqiptarë që janë shfrytëzues të buxhetit është rritur nga 8.164 (11. 65 %) në 12. 397 ( 17.42 %). Që do të thotë se ky numër (përfaqësimi i shqiptarëve) për 5 (pesë) vite është rritur 6 %. Sipas këtyre të dhënave statistikore shihet qartë se në vitin 2002 përfaqësimi i shqiptarëve ka qenë 11. 65%. Pra në bazë të këtyre të dhënave del se BDI-ja kur ka hyrë në pushtet në vitin 2002, përfaqësimi i shqiptarëve nuk ka qenë 02%, (siç e përsërisin shpesh e shpërfillshëm përfaqësues të kësaj partie), por 11. 65%. Në këto 5 (pesë) vite (nga 2002 deri 2007) bëjnë pjesë edhe 12 muaj nga gjithsejtë 18 të qeverisjes së PDSH-së së atëhershme (2006-2008), me ç’rast u punësuan afër 2.000 shqiptarë, kështu del se BDI-ja brenda 4 (katër) vitesh të pushtetit të tyre (2002-2006) nuk kanë punësuar më shumë se 2.000 shqiptarë.

Shënim plotësues: Pjesa më e madhe e të dhënave të lartshënuara janë marrë nga gazeta “DNEVNIK”, e publikuar më 05.02.2008 me titull: PËRFAQËSIMI ADEKUAT DHE I DREJTË. Më poshtë  si dëshmi po bashkëngjis edhe fotokopje të këtij shkrimi të botuar në gazetën e lartpërmendur.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 13 Maj, 2024 20:24