LSDM akuzon Mickoskin: “Nuk ka më banda? Ka vetëm një dhe ajo është në Qeveri”
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski se në vend nuk ka më banda, krim, reketim, ekonomi të marihuanës apo provizione nga Lotaria.
Opozita socialdemokrate e ka kundërshtuar këtë vlerësim, duke akuzuar pushtetin për kontroll të institucioneve dhe duke ngritur një sërë pretendimesh për raste që, sipas saj, kërkojnë hetim dhe përgjegjësi.
“Nuk ka banda të vogla, e saktë, ka vetëm një të madhe dhe ajo kontrollon gjithçka. Nuk ka më banda në rrugë – ka bandë partiake. Nuk ka reket nga jashtë – reketi tani ka vulë, kabinet dhe konferencë për media”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Partia opozitare pretendon se nuk bëhet më fjalë për provizione nga Lotaria të dhëna “në të zezë”, por për një sistem ku, sipas saj, “shteti është plaçkë”, duke përmendur një shumë prej 5,5 milionë eurosh.
LSDM ka ngritur akuza edhe lidhur me rastin e pesë tonëve marihuanë, duke pretenduar se ngarkesa ka kaluar kufirin dhe doganën në drejtim të Serbisë pa u ndaluar dhe nën shoqërim policor.
“Krimi dhe korrupsioni tani kanë emër dhe mbiemër: Hristijan Mickoski. Mickoski nuk publikoi rezultat. Ai publikoi kapitullimin e institucioneve”, thuhet në komunikatën e partisë.
Sipas LSDM-së, deklarata e kryeministrit se krimi nuk ekziston më nuk përbën një bilanc të punës së institucioneve, por, siç pretendon opozita, “legalizim të krimit dhe korrupsionit”.
LSDM akuzon më tej VMRO-DPMNE-në se gjatë dy viteve të fundit ka vendosur kuadro të saj në segmente të ndryshme të sistemit shtetëror, përfshirë gjyqësorin dhe prokurorinë, strukturat e sigurisë, lojërat e fatit, sektorin e energjetikës dhe prokurimet publike.
“Pastaj del kryeministri dhe thotë – nuk ka banda. Banda është në pushtet. Nuk ka konkurrencë në rrugë kur rrugën e kontrollon kabineti”, deklarojnë nga LSDM.
Opozita thotë gjithashtu se qytetarët vazhdojnë të përballen me kosto dhe probleme ekonomike, ndërsa pushteti, sipas saj, përpiqet të krijojë imazhin e rendit dhe përgjegjësinë për aferat t’ia atribuojë qeverisjes së mëparshme.
“Krimi nuk zhduket me një deklaratë. Ai zhduket me hetim që nuk ndalet para mbiemrit, funksionit apo librezës partiake”, thekson LSDM.
Në reagim përmenden sërish 5,5 milionë euro të lidhura me Lotarinë, si dhe pretendime për shuma milionëshe në sektorin e energjetikës, prokurimet publike dhe shërbimet e sigurisë. LSDM kërkon që këto çështje të trajtohen përmes institucioneve kompetente dhe jo si pjesë e përplasjeve politike.
Në fund, partia opozitare paralajmëron se do të vazhdojë t’i ngrejë këto çështje, duke kundërshtuar pretendimin se Maqedonia e Veriut është “e pastër nga krimi” vetëm mbi bazën e deklaratave politike.
LSDM e përmbyll reagimin me një tjetër akuzë të drejtpërdrejtë ndaj pushtetit:
“Nuk ka më banda. Ka vetëm një. Quhet VMRO dhe është ulur në Qeveri.”
Shënim redaksional: Pretendimet e mësipërme janë pjesë e reagimit politik të LSDM-së dhe paraqiten si akuza të opozitës. Ato nuk duhet të interpretohen si fakte të vërtetuara apo si konstatime gjyqësore pa dëshmi dhe vendime përkatëse të institucioneve kompetente. Gazeta Flaka










