BDI: Çfarë na tha dje Gjykata Kushtetuese? Vendimi krijon precedent të rrezikshëm për gjuhën shqipe
BDI ka reaguar ndaj vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si precedent të rrezikshëm për përdorimin e gjuhës shqipe dhe sigurinë juridike në vend.

Nga BDI thonë se Gjykata Kushtetuese, në vend që çështjen e publikimit të rregullores vetëm në gjuhën maqedonase ta shqyrtonte nga aspekti i detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për publikimin e akteve edhe në gjuhën shqipe, e ka trajtuar atë përmes aspektit material të aktit.
“Pikërisht këtu qëndron problemi: kushtetutshmëria nuk është vetëm përmbajtje. Është edhe procedurë, formë dhe respektim i rregullave kushtetuese për mënyrën se si krijohet dhe hyn në fuqi një akt”, thekson BDI.
Sipas kësaj partie, Gjykata Kushtetuese në praktikën e saj të mëparshme ka shqyrtuar edhe çështje që lidhen me procedurën dhe formën e akteve, ndërsa vendimi i djeshëm, sipas BDI-së, krijon një standard tjetër.
“Vetë Gjykata Kushtetuese, në praktikën e saj, ka vlerësuar çështje të tilla, ndërsa dje u ngrit kundër vetës, duke shkel çdo normë”, thuhet në reagim.
BDI ngre edhe pyetjen se çfarë vlere kanë rregullat kushtetuese për procedurën dhe publikimin e akteve, nëse publikimi në kundërshtim me kërkesat kushtetuese dhe ligjore nuk mund të jetë objekt i kontrollit kushtetues dhe ligjor.
“Nëse publikimi në kundërshtim me kërkesat kushtetuese dhe ligjore nuk është më çështje që mund të shqyrtohet si kushtetutshmëri dhe ligjshmëri formale, atëherë çfarë vlere kanë vetë rregullat kushtetuese për procedurën dhe publikimin e akteve?”, pyet BDI.
Partia opozitare vlerëson se çështja nuk kufizohet vetëm te një rregullore, por prek më gjerë statusin e gjuhës shqipe dhe sigurinë juridike.
“Nëse një akt mund të publikohet vetëm në maqedonisht dhe kjo të mos ketë relevancë për kontrollin kushtetues, çfarë e garanton që nesër i njëjti standard të mos zbatohet edhe për akte të tjera?”, thuhet në reagim.
Në fund, BDI thekson se gjuha shqipe nuk është dekor kushtetues, por pjesë e rendit kushtetues, duke paralajmëruar se çështja nuk duhet të normalizohet apo relativizohet.
“Nuk është vetëm çështje e një rregulloreje. Është çështje se a vlejnë njësoj Kushtetuta, ligji dhe siguria juridike për të gjithë”, përfundon BDI. Gazeta Flaka












