Mourinho rikthehet te Roma me një mesazh për tifozët: “Kam dhënë gjithçka për ta”
José Mourinho ka folur sërish për periudhën e tij te Roma, duke theksuar lidhjen e veçantë me tifozët e klubit italian dhe duke rikthyer në vëmendje polemikat pas finales së humbur kundër Sevillas në Budapest.
Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, trajneri portugez deklaroi se tifozët e Romës e kishin kuptuar se për të ekzistonte vetëm klubi dhe mbështetësit e tij.
“Tifozët e kuptuan se për mua ekzistonte vetëm një gjë: Roma dhe romanistët. Kam luftuar për ta, kam dhënë gjithçka dhe kemi fituar një kompeticion që ka domethënie shumë të madhe për një klub që nuk fiton shpesh”, u shpreh Mourinho, duke iu referuar triumfit në Ligën e Konferencës në vitin 2022.
Ai foli edhe për incidentet pas finales së Ligës së Evropës në vitin 2023, të cilën Roma e humbi ndaj Sevillas.
“Për atë që ndodhi në aeroport nuk jam përgjegjës. E pranoj fajin për fyerjet ndaj arbitrit në garazh dhe për këtë u ndëshkova me të drejtë. Por nuk duhej të paguaja për atë që ndodhi në aeroport”, deklaroi portugezi.
Mourinho foli gjithashtu për rikthimin e tij në stadiumin “Olimpico” për ndeshjen e Ligës së Kampionëve, duke pranuar se do të jetë një përvojë ndryshe pa mbështetjen e tifozëve të Romës.
“Nuk pres kore apo pankarta, vetëm shumë respekt”, përfundoi ai.
Deklaratat e Mourinhos tregojnë se periudha e tij në krye të Romës mbetet një kapitull i rëndësishëm për të, pavarësisht ndarjes nga klubi dhe polemikave që e shoqëruan.
Flaka












