Papa Leoni XIV del nga spitali pas operacionit në mushkëri
Papa Leoni XIV do të dalë nga spitali pasditen e kësaj të shtune, katër ditë pas operacionit për heqjen e një pjese tumorale në mushkëri.
Në njoftimin e dhënë nga Vatikani thuhet se analizat e gjakut dhe ekzaminimet imazherike të kraharorit kanë treguar se gjendja shëndetësore e tij është përmirësuar dhe se rikuperimi i tij do të vijojë në banesë.
Papa, 71 vjeç, pritet të zhvillojë të dielën daljen e tij të parë publike pas operacionit, duke drejtuar lutjen e përjavshme me pelegrinët në sheshin e Shën Pjetrit, në orën 12:00.
Kreu i Kishës Katolike është diagnostikuar me adenokarcinomë të mushkërisë, një nga format më të zakonshme të kancerit të mushkërisë. Diagnoza ka shkaktuar shqetësim, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si sëmundja mund të ndikojë në drejtimin e papatit, veçanërisht për shkak të moshës relativisht të re dhe angazhimeve të shumta të Papës, i zgjedhur në maj të vitit 2025.
Mjekët kanë deklaruar se operacioni përfundoi me sukses dhe pa komplikime. Megjithatë, ata nuk kanë bërë të ditur përmasat e tumorit dhe nëse sëmundja është përhapur në nyjet limfatike pranë tij, dy faktorë të rëndësishëm për përcaktimin e prognozës.
Vatikani ka sinjalizuar se Papa synon të vijojë angazhimet e tij, ndërsa disa kardinalë kanë shprehur publikisht shqetësimin për gjendjen e tij shëndetësore.
Përgatitjet për vizitën e planifikuar nga 6 deri më 17 nëntor në Uruguai, Argjentinë dhe Peru po vijojnë. Udhëtimi parashikon një axhendë intensive dhe është ndër vizitat më të ngjeshura të një pape në dekadat e fundit.
Ndërkohë, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, deklaroi të premten se Papa mund të ketë nevojë të përshtatë ritmin e angazhimeve të tij në të ardhmen, në varësi të gjendjes shëndetësore.













