Tebas sulmon Real Madridin për çështjen Negreira: “Sulmet ndaj Barcelonës janë të papranueshme!”
Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka kritikuar ashpër Real Madridin për qëndrimin e tij ndaj Barcelonës lidhur me çështjen Negreira, duke i cilësuar sulmet ndaj klubit katalanas si të papranueshme.
Në një prononcim në forumin “World in Progress” në Barcelonë, Tebas akuzoi madrilenët se po e zvarrisin procesin gjyqësor dhe po e mbajnë gjallë këtë çështje.
“Real Madridi po e zgjat çështjen Negreira sikur të ishte një çamçakëz. Sulmet e vazhdueshme ndaj Barcelonës janë të papranueshme”, u shpreh Tebas.
Ai theksoi se Barcelona duhet të mbajë përgjegjësi nëse hetimet vërtetojnë shkelje, por sipas tij, përgjegjësia nuk mund t’i atribuohet klubit pa një vendim gjyqësor.
Tebas gjithashtu hodhi poshtë çdo krahasim mes çështjes së Barcelonës dhe asaj të Manchester Cityt, duke insistuar se drejtësia spanjolle duhet ta trajtojë rastin në mënyrë të pavarur.
Çështja Negreira lidhet me pagesat që Barcelona ka kryer ndaj kompanive të lidhura me ish-zëvendëspresidentin e Komitetit Teknik të Arbitrave, José María Enríquez Negreira. Procesi gjyqësor për këtë rast vazhdon ende.
Flaka











