Berisha: Aktakuza ndaj Artan Grubit është montim politik, VLEN po manipulon opinionin për ta mbuluar veten
Bekim Berisha nga Shkupi ka akuzuar VLEN-in për manipulim të opinionit publik lidhur me vendimin e Qeverisë për Alta Bankën, duke pretenduar se zhvillimet e fundit hedhin dyshime edhe mbi procesin gjyqësor ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi.

Sipas Berishës, ajo që, siç thotë ai, eksponentët e VLEN-it zbuluan aksidentalisht gjatë përpjekjeve për të akuzuar BDI-në, është në fakt pjesë e së vërtetës që lidhet me aktakuzën ndaj Grubit.
Ai ngre dyshime nëse i gjithë procesi gjyqësor ndaj Grubit është një përpjekje për të mbuluar përgjegjësitë e të tjerëve.
Berisha i referohet seancës së Qeverisë me numër rendor 158, të mbajtur më 6 qershor 2023, konkretisht pikës 131 të rendit të ditës, për të cilën thotë se është pikërisht seanca në kuadër të së cilës po ndiqet penalisht Grubi.
Sipas tij, VLEN-i ka keqinterpretuar vendimin e asaj seance, duke i dhënë një kontekst tjetër dhe duke e lidhur me Alta Bankën serbe, me qëllim që të arsyetojë vendimin e vitit 2025 për sjelljen e kësaj banke.
„Kjo dëshmon që edhe aktakuza medoemos është montim i njëjtë, mashtrim për përndjekje dhe heshtje të zërit opozitar, izolim të veprimit qytetar“, pretendon Berisha.
Ai thekson se Artan Grubi akuzohet për drejtimin e një seance të Qeverisë, në të cilën vendimet janë marrë në mënyrë kolektive dhe pa asnjë votë kundër.
„Artani akuzohet që ka udhëhequr seancën e Qeverisë ku vendimet janë marrë kolektivisht, pa asnjë votë kundër. Nuk akuzohet për korrupsion, as për përvetësim, as për vjedhje!“, shkruan Berisha.
Në fund, ai e cilëson suksesin e Grubit si shkak të sulmeve politike ndaj tij dhe si një dobësi të VLEN-it.
Deklaratat e Berishës për karakterin e aktakuzës dhe pretendimet për manipulim politik janë qëndrime të tij dhe nuk përbëjnë konstatime të vërtetuara gjyqësore.














