Filipçe: Qeveria e Mickoskit po e zhyt vendin në borxhe, nuk ka para as për rritjen e pagave
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë së Hristijan Mickoskit, duke paralajmëruar se vendi po shkon drejt një varësie gjithnjë e më të madhe nga kreditë e shtrenjta, pa investime zhvillimore dhe pa mjete për rritjen e pagave.
Duke folur para mediave, para debatit publik të organizuar nga Fondacioni “Friedrich Ebert”, Filipçe tha se projektbuxheti për vitin e ardhshëm nuk parasheh mjete të mjaftueshme për rritjen e pagave në shëndetësi, arsim dhe sektorin social.
“Po miratohet buxheti për vitin e ardhshëm, pas një rishikimi shumë të shpejtë të buxhetit, i cili ishte dëshmi e politikave të këqija ekonomike. Nuk ka para për rritjen e pagave në shëndetësi, arsim dhe sektorin social. Buxheti nuk ka komponent zhvillimor, ashtu siç nuk kishte as deri më tani”, deklaroi Filipçe.
Ai veçoi shpenzimet për pagesën e interesave të borxhit publik, të cilat, sipas tij, kanë arritur nivel rekord prej afro 25 miliardë denarësh.
Një tjetër shqetësim, sipas liderit të LSDM-së, është borxhi i shtetit ndaj ndërmarrjeve publike, pushtetit lokal dhe kompanive që punojnë në sektorin shëndetësor.
Filipçe pretendon se detyrimet e papaguara të shtetit arrijnë në 713 milionë euro, duke përfshirë edhe borxhin për kthimin e TVSH-së.
“713 milionë euro që shteti nuk ua paguan bizneseve, duke i bërë kompanitë jolikuide dhe duke vënë në rrezik funksionimin e tyre të mëtejshëm”, tha Filipçe.
Ai vlerësoi se situata ekonomike po rëndohet edhe për qytetarët, të cilët po përballen me rritje të kostos së jetesës dhe vështirësi për të përballuar shpenzimet bazë.
“Jeta po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. Qytetarët nuk mund t’i përballojnë më shpenzimet. As tri paga minimale nuk mjaftojnë për të mbuluar shportën e konsumit”, deklaroi ai.
Filipçe paralajmëroi se vazhdimi i politikave aktuale mund ta çojë Maqedoninë e Veriut drejt një situate të ngjashme me krizën greke, ku shteti do të detyrohej të mbulonte shpenzimet e rregullta përmes huamarrjes së shtrenjtë.
“Jemi seriozisht të shqetësuar se, nëse Hristijan Mickoski vazhdon ta drejtojë ekonominë në këtë mënyrë, pas disa vitesh mund të përballemi me skenarin grek, pra me një situatë ku burimi i vetëm për mbulimin e shpenzimeve rrjedhëse, pagave, pensioneve dhe detyrimeve ndaj ekonomisë do të jenë kreditë e shtrenjta”, paralajmëroi Filipçe.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për mënyrën se si Qeveria po përballet me krizën ekonomike, ai tha se ekzekutivi nuk po tregon as vullnet dhe as kapacitet për të ofruar zgjidhje.
Sipas tij, pasojat e politikave ekonomike reflektohen drejtpërdrejt në buxhetet familjare dhe në mundësinë e qytetarëve për të siguruar nevojat elementare.
“Qytetarët i shohin pasojat në kuletat dhe frigoriferët e tyre. Edhe kuletat, edhe frigoriferët e qytetarëve janë bosh. Kjo dëshmon se kjo Qeveri nuk di absolutisht se si drejtohet shteti”, përfundoi Filipçe. Flaka














