Saranda Imeri Stafai thumbon BDI-në për interpelancën ndaj Stoilkoviqit: A do ta votoni apo do të mungoni?
Deputetja e koalicionit VLEN, Saranda Imeri Stafai, ka ironizuar me BDI-në lidhur me interpelancën ndaj ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, duke vënë në pah se iniciativa në Kuvend është dorëzuar nga grupi parlamentar i LSDM-së dhe jo nga partia opozitare shqiptare.
Në një reagim në rrjetet sociale, Stafai shkruan se fillimisht kishte menduar se interpelanca ishte iniciuar nga BDI-ja, për shkak të zhurmës dhe reagimeve të kësaj partie në Kuvend.
“Realisht, kur arriti materiali për interpelancën ndaj Stoilkoviqit, mendova se iniciativën e kishte ndërmarrë BDI-ja. Por ja që na doli LSDM-ja!”, shkruan deputetja e VLEN-it.
Ajo ka ironizuar më tej me qëndrimin e BDI-së, duke e cilësuar si të pavlefshme zhurmën e bërë në Kuvend, nëse ajo nuk shoqërohet me një iniciativë konkrete parlamentare.
“Gjithë ato piskama në Kuvend, gjithë ajo zhurmë dhe ato tentativa për të tërhequr vëmendjen, në fund përfunduan me një ASGJË!”, thuhet në reagimin e saj.
Stafai në fund i ka drejtuar BDI-së një pyetje për qëndrimin që do të mbajë gjatë votimit të interpelancës:
“Tani pyetja është e thjeshtë: A do ta votoni interpelancën apo do të mungoni përsëri, siç e keni zakon, duke lënë vetëm 2-3 deputetë kujdestarë në sallë?”
Reagimi i deputetes së VLEN-it hap një tjetër përplasje mes dy subjekteve politike, kësaj radhe rreth qëndrimit parlamentar ndaj ministrit Stoilkoviq.














