Mickoski dënon sulmin: Do të bëjmë gjithçka që autori të dalë para drejtësisë – reagon edhe kryetari i Komunës së Ohrit
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka dënuar ashpër sulmin dhe rrahjen brutale të një vajze të re në Ohër, duke shprehur mbështetje për familjen e saj dhe duke premtuar angazhim institucional që autori të dalë para drejtësisë.
Mickoski tha se lajmi për incidentin e rëndë e kishte tronditur dhe se deklarata e tij e sotme në Bruksel ishte paraparë të përqendrohej në një temë krejtësisht tjetër, përkatësisht në takimet dhe aktivitetet lidhur me interesat e Maqedonisë.
“Për fat të keq, tek unë mbërriti lajmi i tmerrshëm që tronditi banorët e Ohrit, por edhe qytetarët e Maqedonisë në përgjithësi, për incidentin dhe rrahjen e vajzës së re”, deklaroi Mickoski.
Ai e dënoi ashpër atë që e cilësoi si barbarizëm dhe shprehu solidaritet me familjen e viktimës.
“Si njeri, si prind, si baba, vëlla dhe bashkëshort, dua të shpreh mbështetjen time për familjen e vajzës dhe të premtoj se do të bëjmë gjithçka, si institucione dhe unë personalisht si kryeministër, që personi që ka kryer këtë sulm të tmerrshëm të dalë para drejtësisë”, theksoi Mickoski.
Kryeministri nuk dha detaje shtesë për rrethanat e sulmit, por u zotua se institucionet do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit dhe përgjegjësinë e autorit.
Edhe. Kryetari i Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, ka dënuar ashpër ngjarjen e dhunshme që tronditi qytetin gjatë ditës së djeshme, duke kërkuar nga institucionet kompetente që të veprojnë shpejt, me efikasitet dhe drejtësi.
“E dënoj në mënyrën më të ashpër ngjarjen e dhunshme që tronditi Ohrin gjatë ditës së djeshme. Si person dhe si kryetar komune jam i tmerruar. Ohri është i tronditur”, deklaroi Pecakov.
Ai theksoi se ngjarje të tilla nuk janë karakteristikë e Ohrit dhe nuk duhet të ndodhin në këtë qytet.
“U bëj thirrje institucioneve kompetente që të veprojnë shpejt, me efikasitet dhe drejtësi. Publikisht distancohem nga këto veprime dhe qëndroj në anën e drejtësisë dhe ligjit”, tha Pecakov.
Kryetari i Ohrit theksoi se dhuna nuk është zgjidhje, ndërsa vlerësoi se rastet e ngjashme të dhunës gjatë periudhës së fundit tregojnë nevojën urgjente për ndryshime ligjore në trajtimin dhe ndëshkimin e personave që ushtrojnë dhunë.
“Rastet e dhunshme të këtij karakteri gjatë periudhës së fundit na tregojnë se kemi nevojë urgjente për ndryshime në ligj, në mënyrë që personat që ushtrojnë dhunë të trajtohen ndryshe”, theksoi Pecakov. Flaka














