Fotografi e rrallë: Ali Ahmeti pranë Adem Demaçit
Një fotografi e rrallë sjell së bashku disa nga emrat e njohur të veprimtarisë politike kombëtare shqiptare: Adem Demaçin, Ali Ahmetin dhe Fazli Veliun, i njohur edhe si Daja.
Fotografia paraqet një moment nga një periudhë e rëndësishme e organizimit politik shqiptar, kur veprimtarë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare mbanin lidhje dhe angazhoheshin për çështjen kombëtare.
Adem Demaçi ishte një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës politike shqiptare në Kosovë. Shkrimtar, veprimtar dhe disident politik, ai kaloi gjithsej rreth 28 vjet në burgjet jugosllave për shkak të bindjeve dhe veprimtarisë së tij politike. Në vitin 1991 u nderua me Çmimin Saharov të Parlamentit Evropian për Lirinë e Mendimit.
Ali Ahmeti, gjatë viteve të rinisë, ishte pjesë e lëvizjes studentore shqiptare në Prishtinë. Ai mori pjesë në demonstratat e vitit 1981 dhe më pas vazhdoi veprimtarinë në organizimet ilegale politike shqiptare. Gjatë vitit 1982 u angazhua në Organizatën Marksiste-Leniniste të Kosovës (OMLK), duke u përfshirë në shpërndarjen e shtypit ilegal. Më vonë u bë një nga figurat drejtuese të organizimit politik dhe ushtarak të shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni.
Fazli Veliu – Daja ishte gjithashtu pjesë e veprimtarisë politike shqiptare dhe një nga bashkëpunëtorët e Ali Ahmetit në organizimet e mëvonshme të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Emri i tij lidhet me organizimin politik shqiptar në diasporë dhe me zhvillimet që paraprinë luftën e vitit 2001 në Maqedoni. Flaka














