Trump publikon imazh të gjeneruar me AI, ku Jensen Huang shfaqet pranë tij pas atentatit
Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar një fotografi të gjeneruar me inteligjencë artificiale (AI), në të cilën shfaqet drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, pranë tij në skenën e atentatit të vitit 2024 në Butler të Pensilvanisë.
Sipas The Independent, imazhi është publikuar në platformën Truth Social dhe paraqet një version të ndryshuar të fotografisë së famshme të Trumpit, menjëherë pas të shtënave gjatë një tubimi elektoral në korrik të vitit 2024.
Në fotografinë e manipuluar me AI, Huang shfaqet me gjak në faqe dhe me grushtin e ngritur, ndërsa në sfond flamuri amerikan është zëvendësuar me flamurin e kompanisë Nvidia.
Atentati ndaj Trumpit në Butler përfundoi me plagosjen e presidentit të atëhershëm, vdekjen e një pjesëmarrësi në tubim dhe plagosjen e disa personave të tjerë. Njëri prej të plagosurve ndërroi jetë më vonë nga plagët e marra.
Publikimi i imazhit vjen në një kohë kur Nvidia është përballur me vëmendje të shtuar publike dhe politike për shkak të çështjeve që lidhen me drejtuesit e saj dhe sigurinë kombëtare amerikane.
Të hënën, Trump konfirmoi se kishte ndërhyrë në një takim të bordit drejtues të Nvidia-s për të bindur anëtarët që ta rikthenin Huang në postin e drejtorit ekzekutiv.
„Fola me ta dhe i binda. Ishte shumë më e lehtë t’i bindja dje sesa para një jave“, deklaroi Trump gjatë një bisede telefonike me televizionin CNBC.
Presidenti amerikan tha se beson që Huang nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe se nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Ai madje argumentoi se humbja e tij nga kompania do të ishte një rrezik më i madh.
Nga ana tjetër, Nvidia deklaroi se vendimi për rikthimin e Huang ishte marrë duke marrë parasysh mendimet dhe rekomandimet e niveleve më të larta të qeverisë amerikane.
Çështja ka nxitur debat edhe për shkak të interesave financiare të Trumpit, i cili, sipas deklarimeve financiare të cituara në raportim, zotëron aksione të Nvidia-s me vlerë të vlerësuar nga 13 deri në 62 milionë dollarë. Kjo ka shkaktuar kritika nga organizatat mbikëqyrëse dhe disa politikanë, të cilët kanë ngritur pikëpyetje për konflikt të mundshëm interesi mes interesave të tij financiare dhe përgjegjësive presidenciale.
Flaka















