Siljanovska-Davkova: Marrëdhëniet e mira fqinjësore duhet të jenë urë drejt BE-së, jo instrument për shtyrjen e integrimit

Flaka
Botuar nga Flaka 23 Nëntor, 2026 21:50

Siljanovska-Davkova: Marrëdhëniet e mira fqinjësore duhet të jenë urë drejt BE-së, jo instrument për shtyrjen e integrimit

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka kërkuar garanci më të qarta institucionale nga Bashkimi Evropian për procesin e integrimit, duke kritikuar përfshirjen e çështjeve dypalëshe në rrugën negociuese dhe duke e cilësuar kushtin për ndryshimet kushtetuese si një kërkesë të imponuar jashtë së drejtës së BE-së.

Siljanovska-Davkova i bëri këto komente gjatë seancës së përbashkët të Komisionit për Çështje Evropiane dhe Këshillit Nacional për Eurointegrime, ku u shqyrtua Raporti vjetor i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026.

Në fillim të fjalimit, presidentja theksoi se objektivi strategjik i vendit mbetet anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian, ndërsa procesi duhet të zhvillohet në përputhje me rregullat, parimet dhe vlerat evropiane, përfshirë barazinë, sigurinë juridike dhe integrimin e bazuar në merita.

Sipas saj, ekzistojnë katër çështje kryesore që ndikojnë në perspektivën evropiane të vendit: mungesa e parashikueshmërisë së procesit të mëtejshëm të anëtarësimit, paqartësia ndërmjet kritereve për anëtarësim dhe çështjeve politike dypalëshe, mungesa e garancive institucionale se përmbushja e kushteve do të sjellë përparim real në negociata dhe kushti politik për ndryshimet kushtetuese, i përfshirë në konkluzionet e vitit 2022.

„Duhet të bëjmë diçka të gjithë së bashku, ne, fqinjët tanë dhe partnerët tanë evropianë, për të dalë nga ky labirint. Kushdo që pretendon se bëhet fjalë vetëm për ndryshimet kushtetuese, mendoj se nuk është i sinqertë. Ose ka qëllim, ose nuk ka dëshirë ta kuptojë prapavijën e shqetësimit tonë“, deklaroi Siljanovska-Davkova.

Ajo u dërgoi një mesazh edhe vendeve fqinje, duke theksuar se marrëdhëniet e mira fqinjësore duhet të shërbejnë si urë drejt Bashkimit Evropian dhe jo si instrument për shtyrjen e perspektivës evropiane të një vendi.

„Marrëdhëniet e mira fqinjësore duhet të jenë urë drejt Bashkimit Evropian, e jo instrument për shtyrjen e pacaktuar të perspektivës evropiane të fqinjit“, theksoi presidentja.

Ndryshimet kushtetuese, kusht i imponuar apo pjesë e procesit negociues?

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua ndryshimeve kushtetuese, të cilat Maqedonia e Veriut duhet t’i miratojë për të vazhduar procesin negociues sipas konkluzioneve të Këshillit të BE-së të vitit 2022.

Siljanovska-Davkova argumentoi se këto ndryshime nuk janë reforma të kërkuara nga e drejta e Bashkimit Evropian, por një kusht i imponuar politikisht.

„Ndryshimet kushtetuese për të cilat referohet raporti nuk janë reforma të domosdoshme sipas së drejtës së BE-së. Ato janë një kusht i imponuar, jashtë së drejtës së BE-së. Por është e vërtetë se janë pjesë e konkluzioneve“, deklaroi ajo.

Presidentja kërkoi nga institucionet evropiane që të bëjnë të qartë se çështjet dypalëshe që nuk lidhen me kriteret e anëtarësimit nuk duhet të bëhen pjesë e negociatave dhe që ky parim të garantohet edhe institucionalisht.

Thirrje për konsensus dhe përshpejtim të reformave

Duke folur për perspektivën e ardhshme evropiane, Siljanovska-Davkova paralajmëroi se procesi nuk do të jetë i lehtë dhe kërkoi konsensus të gjerë ndërmjet subjekteve politike në Kuvend.

Ajo theksoi nevojën për dialog konstruktiv, respekt të ndërsjellë ndërmjet tri pushteteve, bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe sektorit civil, si dhe zbatim më të fuqishëm të reformave dhe respektim të sistemit të meritave.

Në seancë, përveç presidentes, fjalën e morën edhe ambasadori i BE-së, Michalis Rokas, ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Milloshoski, kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Venko Filipçe, si dhe deputetë të tjerë.

Në përfundim, presidentja bëri thirrje për një debat konstruktiv që do të ndihmojë në tejkalimin e dobësive dhe problemeve të evidentuara në raportin e Komisionit Evropian, por edhe në forcimin e rezultateve pozitive të vendit.

Flaka

44

A ndodhet Maqedonia e Veriut në një krizë të thellë ekonomike, politike dhe sociale?

Flaka
Botuar nga Flaka 23 Nëntor, 2026 21:50
Të drejtat autoriale dhe përdorimi i përmbajtjes Disa nga imazhet e publikuara në portal janë siguruar nga burime të ndryshme në internet dhe konsiderohen se i përkasin domenit publik. Në rast se ndonjë person ose subjekt pretendon të drejtën e pronësisë mbi to, Flaka Media është e gatshme të bëjë citimin përkatës të autorit ose, sipas kërkesës, ta largojë menjëherë imazhin nga portali. Marrja, kopjimi, riprodhimi, shpërndarja apo publikimi i paautorizuar i teksteve, fotografive, videove dhe çdo përmbajtjeje tjetër autoriale që përbën pronësi intelektuale të Flaka Media, pa pëlqimin paraprak me shkrim të redaksisë, ndalohet rreptësisht. Çdo shkelje e të drejtave autoriale dhe të drejtave të përafërta do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Flaka Media rezervon të drejtën të kërkojë kompensim financiar për dëmin e shkaktuar dhe të ndërmarrë procedurat përkatëse ligjore ndaj shkelësve. Për çdo ripublikim ose shfrytëzim të përmbajtjes autoriale të Flaka Media, është i detyrueshëm sigurimi i pëlqimit paraprak me shkrim nga redaksia. Në rastet kur jepet leja për ripublikim, duhet të vendoset në mënyrë të qartë burimi dhe një lidhje aktive (link) që orienton lexuesit drejt artikullit origjinal në faqen zyrtare të Flaka Media. Përmbajtjet reklamuese dhe materialet e publikuara përmes platformës MGID nuk janë nën administrimin dhe përgjegjësinë editoriale të redaksisë së Flaka Media. Arkivi i portalit ruhet për një periudhë prej dy vjetësh nga data e publikimit të lajmit.
44

A ndodhet Maqedonia e Veriut në një krizë të thellë ekonomike, politike dhe sociale?

Voto edhe...
3
Flaka

Çfarë dëshironi të lexoni apo shikoni në Flaka më së tepërmi?

NDRYSHE

NDRYSHE

    No posts where found

Lexo më shumë