Mickoski: Maqedonia me inflacionin më të ulët në rajon, pagat reale neto janë rritur për 5,2 për qind
Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se Maqedonia e Veriut po përballet me një nivel relativisht të ulët të inflacionit, krahasuar me vendet e rajonit dhe me një pjesë të madhe të Evropës.
Sipas tij, inflacioni aktual lëviz nga 2,5 deri në 3 për qind, ndërsa rritja vjetore e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike është nën 2 për qind. Mickoski pretendon se këto rezultate janë pasojë e politikave ekonomike të Qeverisë.
Duke folur për zhvillimet ekonomike dhe koston e jetesës, ai theksoi se pagat reale neto në shtator kanë shënuar rritje prej 5,2 për qind.
Mickoski iu referua edhe të dhënave të Eurostat-it, duke krahasuar inflacionin në Maqedoninë e Veriut me atë në vendet e tjera të rajonit, ku sipas tij, norma arrin në 6, 7 dhe 8 për qind, ndërsa në Turqi deri në 30 për qind.
„Politikat e Qeverisë janë absolutisht kyçe për të pasur një inflacion kaq të ulët. Nëse shikoni rritjen e kostos së jetesës për ushqimet dhe pijet joalkoolike, do të shihni se ajo është nën 2 për qind në bazë vjetore dhe praktikisht më e ulëta në rajon“, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se edhe rritja e pagave reale neto dëshmon, sipas tij, për efektet e politikave qeveritare, duke kujtuar se në shtator të vitit të kaluar ky tregues kishte qenë negativ, në nivel prej minus 5 për qind.
Kryeministri paralajmëroi se Qeveria do të vazhdojë të përballet me sfidat ekonomike, veçanërisht me pasojat e krizës globale energjetike, për të cilën tha se ende nuk ka shenja të zbutjes.
Megjithatë, pretendimet për inflacionin dhe fuqinë blerëse duhet të vlerësohen duke dalluar normën e rritjes së çmimeve nga niveli i tyre real, pasi inflacioni më i ulët nuk nënkupton domosdoshmërisht se produktet janë më të lira për qytetarët.
Flaka















